E Diel, 1 Nëntor 2026

Norma e Evës



Si mburojë shfrytëzon cilësitë vokale, por nuk lë mënjanë edhe të qenit një nënë. Eva Golemi, soprano e skenës operistike shqiptare, karakterizon “Normën” e radhës në TKOB. Dalluar si një prej roleve më të vështira intepretative, kënduar prej sopranove më të famshme të skenave botërore, na tregon që edhe pse e sjell për herë të dytë pas skenës italiane, në Bolonjë, i qëndron besnike kontrastit që përçon ky rol. Vetëflijimi i Normës e bën Golemin të vendosë vetveten në të njëjtën pozitë, por vendimi i gruas, sipas saj, është i drejtë vetëm për situata specifike, siç dallon ajo bazën e shoqërisë, familjen.

Norma e Evës

Si mburojë shfrytëzon cilësitë vokale, por nuk lë mënjanë edhe të qenit një nënë. Eva Golemi, soprano e skenës operistike shqiptare, karakterizon “Normën” e radhës në TKOB. Dalluar si një prej roleve më të vështira intepretative, kënduar prej sopranove më të famshme të skenave botërore, na tregon që edhe pse e sjell për herë të dytë pas skenës italiane, në Bolonjë, i qëndron besnike kontrastit që përçon ky rol. Vetëflijimi i Normës e bën Golemin të vendosë vetveten në të njëjtën pozitë, por vendimi i gruas, sipas saj, është i drejtë vetëm për situata specifike, siç dallon ajo bazën e shoqërisë, familjen.

Kjo është një operë e cila do të vihet në skenë nga mjeshtri koncertues, Eddi de Nadai, regji të Nicola Zorzi si dhe artistë të tjerë të teatrit shqiptar, pikërisht në datat 7, 10, 13 shkurt. Premiera e kësaj vepre është vënë për herë të parë në TKOB në vitin 1999, ndërkohë që roli i Norma-s së parë shqiptare është identifikuar me sopranon Marjana Leka.

Norma, si personazhi kryesor i veprës me të njëjtin emër, ju është besuar ju. Si ndiheni?

Personazhi i Normës është një nga më të vështirët për të gjitha sopranot. Vështirësia qëndron në interpretim, sepse ka një agjilitet të jashtëzakonshëm. Unë jam shumë e kënaqur që e luaj këtë vepër, edhe për faktin se kësaj here shënoj edhe të dytin rast që unë e këndoj këtë tragjedi. Normën e kam luajtur në 2008-n në Bolonjë të Italisë, në atë rast kur unë kam qenë kasti i dytë, pasi në kastin e parë ishte një tjetër soprano shumë e njohur italiane, e në këtë sens për mua ishte një nder i madh. Norma më pëlqen shumë edhe si personazh, por jam edhe e kënaqur që e luaj sepse kam mundësi që nëpërmjet teknikës vokale, kam mundur që të dallohem prej të tjerëve. Jo çdokush është i gatshëm që të luajë rolin e këtij personazhi, pasi kërkon një cilësi të mirë vokale dhe pa dyshim edhe ato teknike.

Nuk keni shumë kohë që ju e keni luajtur edhe një herë këtë rol në një skenë tjetër, në atë të Bolonjës. A do ta sillni atë në të njëjtën trajtë apo është parë e nevojshme që ta sillni pak më ndryshe?

Jo, në përgjithësi Norma është një personazh shumë statik. Risia në këtë rast është se unë bashkë me artistë të tjerë drejtohemi nga një dirigjent i aftë siç është Eddi de Nadai, regjisori Nikola, të cilët përdorin metodën e tyre individuale të të trajtuarit të një vepre të çfarëdoshme, e të njëjtën rrugë normalisht ndjekin edhe me Normën. Kjo opera është luajtur edhe para dhjetë vjetësh, në vitin 1999, dhe është organizuar nga të tjerë dirigjentë dhe regjisorë dhe është normale që kësaj here do të vijë me një tjetër fytyrë. Janë po të njëjtat skena, po vijnë me një tjetër lloj metode, por pa dalë nga origjinaliteti i përmbajtjes. Ndërsa nga ana vokale është po ajo Normë, nuk ka pse të vijë si një tjetër personazh.

Është një vepër që është luajtur shumë herë në skenat botërore dhe për të dytën herë në skenë e TKOB-së. Çfarë ndjesie ju jep ky fakt, ndërkohë që ju është besuar edhe roli protagonist?

Më vjen mirë dhe ndihem e privilegjuar në të njëjtën kohë. Është një nga veprat më të bukura në repertorin botëror. Mbahet mend nga të gjithë dhe jam shumë e kënaqur që jam një pjesë e rëndësishme e kësaj vepre.

Fundi i personazhit të Normës evidentohet me vetëflijimin e saj. Si e gjykoni vendimin e saj?

Për atë kohë vendimi i saj konsiderohej shumë i drejtë, sepse ajo shkeli rregullat prej të cilave erdhi edhe ky lloj fundi për të. Shkelja e rregullave ishte zgjidhja e saj, gjë që e çuan në vetëflijim. Ishte më se e drejtë nga ana e saj, një vendim që çdokush do ta kishte bërë, gjithnjë në kohën kur zhvillohej ngjarja.

Çfarë është vetëflijimi për ju?

Në ditët e sotme nuk ia vlen të vetëflijohesh për asnjë lloj arsyeje. Këtë lloj veprimi e shikoj shumë larg. Për mua ajo që konsideroj si më të rëndësishme do të ishte fëmija dhe familja, të cilët janë të shenjta për mua dhe mbi ta nuk do të vija asgjë.

Cila do të ishte situata e cila do t’ju çonte në vetëflijim?

Nuk e kam menduar ndonjëherë, por mendoj se vetëm në emër të fëmijëve dhe familjes, ndoshta edhe mund të detyrohesh që të marrësh këtë iniciativë, ndërsa për të tjera ndërmarrje, jo. Nuk e mendoj si zgjidhjen më të mirë dhe të mundshme.

Ky është një rol tragjik. Si e trajtoni ju në skenë?

Këtë personazh unë e trajtoj pikërisht ashtu siç është, të fortë në karakter në njërën anë, por në të njëjtën kohë shfaqet edhe i butë. Janë të ndërthurura të dyja këto aspekte tek Norma. Është një personazh me shumë kontraste dhe i disponon të gjitha planet e një personi të admiruar. Është e gjithanshme dhe fakti që ajo është një nënë, ndikon që ajo të paraqitet edhe shumë e butë dhe kjo është normale.

Në të njëjtën kohë edhe ju vetë jeni nënë. Sa ju ka ndihmuar ky fakt në të ndierit e këtij personazhi?

Pa dyshim që ka ndikuar shumë ky lloj fakti. Jam një nënë vetë dhe tashmë e kam përjetuar ndjesinë e këtij statusi. Në këtë mënyrë është edhe më e lehtë që të jem më realiste në përjetimin e një “Norme” më origjinale.

Nëse do t’ju ishte ofruar ky rol para se të ishit një nënë, a mendoni se do ta kishit plotësuar këtë atë me aq sa po na tregoni?

Nuk e di. Nuk e besoj. E theksova se të qenit një nënë edhe në realitet pa dyshim që më ka ndihmuar. Ka qenë një ndihmë e madhe për mua. Është një element që të plotëson me qëllim që të depërtosh në brendësi të personazhit. E ndiej shumë të nevojshme këtë aspekt personal.

Jeni aktorja e shumë personazheve të ndryshme në skenat e artit klasik. Aktualisht, rolet që ju propozohen a i trajtoni në të njëjtën mënyrë, si në fillimet tuaja?

Jo, nuk i trajtoj si më parë. Kjo për arsye se roli evoluon si në anën skenike, ashtu edhe në atë vokale. Po ashtu edhe ky i fundit, ndryshon me kohën, sepse vokali nuk është më ai që ka qenë në fillimet e mia, pasi ai piqet dhe krijon një forcë tjetër. Nëse tani do të luaja edhe një herë rolet e mia të para, pa diskutim që do t’i interpretoja më ndryshe.

Para se t’ju propozohej Norma që prej herës së parë në Itali, çfarë dinit më së shumti rreth saj?

Këtë vepër e kisha parë disa herë, por nuk kam menduar se një ditë mund ta interpretoja vetë unë. Nuk kisha studiuar mbi të, por thjesht kisha një informacion të përgjithshëm nga kjo vepër. Por tani mundësia u krijua edhe për të dytën herë dhe mendoje, shkon shumë mirë edhe më zërin tim. Çuditërisht, të gjitha rolet e vështira gjejnë këtë lloj trajtese tek unë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›