E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmitari Koçia: Polici Eduard Aliaj iu dorëzua Zan Caushit



Për disa ditë me radhë u mbajt peng, u keqtrajtua në mënyrën më çnjerëzore, për t’u liruar më pas falë ndërhyrjes së kapobandës së Vlorës, Myrteza Caushi. Një fakt i tillë është bërë publik dje nga dëshmitari Xhevdet Koçia, ish-ushtarak dhe një ndër dëshmitarët që e ka parë me sytë e tij gjendjen e ish-policit Eduard Aliaj, si dhe dorëzimin e tij nga personat që e mbanin peng te kapoja i Vlorës, i cili ka mbërritur në Sarandë me eskortë për të marrë në dorëzim vlonjatin nga Nepravishta e Vlorës. Ndërhyrja e Caushit është bërë pas kontaktit që kanë pasur familjarë të pengut me të, me qëllim tërheqjen nga Saranda të djalit të tyre, Eduard Aliaj. Dëshmitari Xhevdet Koçia tregoi para gjykatës momentet e para të ngjarjes, gjetjen e trupit të pajetë të Gjergj Mehmetit, të karbonizuar, kujdesjen disaditore për ish-policin Aliaj, si dhe rrezikun që u kanosej të dyve nëse tentohej të shpëtohej pengu. Por, me gjithë pyetjet e shumta të trupës gjyqësore apo prokurorit Xholi, përpara gjykatës dëshmitari nuk përmendi emra autorësh.

Dëshmia

Një ka qenë dëshmitari që i është përgjigjur dje thirrjes së gjykatës, duke dëshmuar mbi gjithçka dinte rreth masakrës së Qafë-Gjashtës. Xhevdet Koçia, ish-ushtarak në atë kohë, dëshmoi dje para togave të zeza se ditën e 4 marsit të vitit 1997 ka qenë duke pirë kafe në qendër të Sarandës, së bashku me shokun e tij, Fuat Karalliun. “Ka qenë pasdite, kur Asllan Brinja, një qytetar nga Saranda, na informoi se në Qafë-Gjashtë po vriteshin njerëz. Më tha: “O tate, kush është ushtarak të vijë menjëherë!”. Kam hipur në makinë me Fuatin dhe jemi nisur për në Qafë-Gjashtë”, - ka nisur rrëfimin e tij mbi sa dinte dëshmitari Koçia. “Kur arritëm në vendngjarje, kam parë më shumë se 1.500 persona, burra e gra të moshuar dhe të rinj, të cilët ishin duke kaluar dhe ulëritur. Të gjithë me armë të ndryshme në dorë, madje edhe djemtë e moshës 14-15 vjeç”, - vijoi dëshminë e tij Koçia, duke shtuar se “në Qafë-Gjashtë kishte njerëz të irrituar dhe që qëllonin në ajër”. Më pas, dëshmitari ka bërë të ditur se ka marrë një megafon dhe i ka kërkuar turmës që të mos qëllonin me armë. I pyetur nëse njihte ndonjë nga personat që pa në turmë apo nëse ndonjë prej tyre ishte nga të pandehurit e pranishëm, dëshmitari u përgjigj se nuk i njihte pjesëtarët e turmës. “Përveç rrëmujës, kam parë Eduart Aliajn, që ishte i lidhur dhe që e kishin qëlluar. Ka pasur dhe njerëz me kapuç në kokë, të cilëve iu kam kërkuar që t’i hiqnin. Më pas, atë që u mor peng e kam dërguar në spital. Jam interesuar gjatë gjithë kohës për të. I kam dhënë cigare dhe ushqim. Madje, i kam kërkuar Ristan Lapit që të kujdesej për të dhe të mos e keqtrajtonin. Kam shkuar 3-4 herë në spital dhe e kam parë gjendjen në të cilën ndodhej pengu. E kishin keqtrajtuar. Më pas mora vesh që kishte ardhur Zani Caushi dhe e kishte marrë në Sarandë”. I pyetur nga gjykata nëse polici i marrë peng kishte mundësi të lëvizte dhe të largohej, dëshmitari u përgjigj se “polici Aliaj nuk kishte asnjë mundësi të largohej nga spitali, pasi jeta ime dhe e policit ishte e kërcënuar dhe mund të merrnim ndonjë plumb të panjohur”.

Dëshmia: Pashë Gjergj Mehmetin të karbonizuar në makinë

Dëshmitari Xhevdet Koçia ka sqaruar para togave të zeza se kur mbërriti në Qafë-Gjashtë, kishte parë edhe makinën e djegur, në të cilën ndodhej viktima Gjergj Mehmeti. “Kam shkuar tek automjeti dhe pashë një njeri të djegur që nuk nxirrte tym, edhe makina po ashtu. Ai ishte i ulur në sediljen e pasme”, - ka vijuar dëshminë ai. Në fund të saj, kur është pyetur mbi Sokol Bizhgën, dëshmitari është shprehur se ishte futur edhe në një kotec pulash për të parë se ku ndodhej Sokol Bizhga. Për këtë të fundit, mësohet se kishte marrë dijeni se kishte mundur të largohej sapo kishte ndodhur ngjarja. Dëshmitari gjithashtu sqaroi se nuk e dinte se kush ishin autorët e kësaj ngjarjeje, pasi ai nuk kishte qenë dëshmitar okular.

Prokurori kërkon të lexojë deklarimet e policëve, kundërshtojnë avokatët

Pas dëshmisë së dhënë nga ana e dëshmitarit Xhevdet Koçia, prokurori Adnand Xholi i kërkoi trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi, që dëshmitarët që mungonin në proces të shoqëroheshin nga oficerët e policisë. Ndërsa për dy ish-efektivat, Eduart Aliaj dhe Myzafer Blushi, ai kërkoi leximin e deklarimeve të tyre, pas përgjigjes së mbërritur në gjykatë për vendndodhjen e tyre jashtë Shqipërisë. Kërkesa u kundërshtua nga ana e avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan që të rithirreshin sërish dhe të njoftoheshin në adresat që kanë lënë për prokurorinë. Nga ana tjetër, po për këta dy dëshmitarë okularë, mbrojtësit sqaruan se në rast se dy dëshmitarët nuk kanë të ardhura për t’u paraqitur në sallën e gjyqit, atëherë gjykata duhet t’i pyesë në shtetin ku ata banojnë. Kërkesa e mbrojtësve u mor parasysh nga trupi gjykues.

Dëshmitari, avokatit Duka: Ti je ish-kreu i SHIK-ut në Sarandë

Një moment që u përcoll me ilaritet në sallën e gjyqit dhe reagime, ka qenë momenti kur dëshmitari Xhevdet Koçia do pyetej nga avokati Alfred Duka, mbrojtës i të pandehurit Qyrku. Sapo ka parë personin që do i drejtonte pyetje, dëshmitari ka reaguar i habitur dhe do i drejtohej me pyetje gjykatës, por pa u lejuar që ta konsumojë pyetjen e tij. Në atë moment, dëshmitari Koçia deklaron me zë të lartë: “Po ky ka qenë kryetar i SHIK-ut në Sarandë, nuk e di kush e ka pranuar këtë këtu”. Avokati ka reaguar, duke iu kthyer: “Komiteti yt Xhevdet bej”. Debati është ndërprerë nga gjykata. Në momentin që avokati Duka ka nisur për ta pyetur me detaje dëshmitarin, mbrojtësi Ferdinand Ndoja ka theksuar se “nëse kolegu di gjëra më shumë, le të dalë të japë dëshmi”. Mësohet se avokati Alfred Duka është shprehur se ka qenë i kërcënuar në Sarandë, për shkak të funksionit dhe për këtë arsye do të dëshmojë me kërkesë të avokatëve.

Replikat

“Po ky ka qenë kryetar i SHIK-ut në Sarandë, nuk e di kush e ka pranuar këtë këtu”, - bërtiti dëshmitari Koçiu

“Komiteti yt Xhevdet bej”, - iu përgjigj avokati Duka

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›