E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjana: Ullishtet, katër vitet që vijnë, mbjellje mijëra hektarësh



Shtimi i masiveve të mbjella me ullishte do të jetë strategjia e qeverisë në katër vitet që vijnë. Madje, hartimi i një studimi të posaçëm për të krijuar masivet e ullishteve do të jetë objekt i punës së Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes të Konsumatorëve. Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, e ka cilësuar këtë program të qeverisë si më të madhin dhe më të rëndësishmin në sektorin e bujqësisë, duke hedhur poshtë kështu akuzat e kryetarit të PS-së, Edi Rama, që e ka cilësuar programin e ullinjve si korruptim. Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, i bëri dje këto deklarata në një konferencë për shtyp. "Krijimi i masiveve me ullishte të reja në Shqipëri do të jetë programi më i madh e i rëndësishëm për bujqësinë, për të cilin MBUMK-ja po përgatit studimin përkatës”, - tha dje Gjana. Ministri i Bujqësisë vlerësoi se Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e Mesdheut me prapambetje të pajustifikueshme në zhvillimin e ullishtarisë. Sipas tij, një program i tillë duhej të ishte nisur që me qeverisjen socialiste dhe tashmë numri i ullinjve do të ishte shumë herë më i madh. Por këtë do ta korrigjojë qeveria “Berisha”, që ka vendosur të rrisë ndjeshëm masivet e ullinjve. Ajo e ka pasur objektiv të punës së saj që kur nisi të qeverisë në mesin e vitit 2005. "Që në fillim të mandatit qeverisës, programi i kësaj qeverie vendosi objektiv specializimin e prodhimit bujqësor në Shqipëri, duke përcaktuar prioritare frutikulturën, vreshtarinë dhe ullishtet, dhe duke hequr dorë nga prodhimi i çdo gjëje në vend", - deklaroi ministri i Bujqësisë. Në këtë kuadër, - vijoi Gjana, - me studime dhe me skema financiare mbështetëse për fermerët, në tre vitet e fundit janë mbjellë mbi 3.5 milionë pemë të reja frutore dhe mbi një milion rrënjë ullinj. "Vetëm në 2008, me mbështetje të fondeve buxhetore, janë mbjellë 706 ha ullishte të reja, prej të cilave 121 ha në Berat, 123 ha në Elbasan, 125 ha në Fier, 111 ha në Vlorë, 61 ha në Tiranë etj", - tha Gjana. Duke reaguar ndaj akuzës së bërë një ditë më parë nga kreu i opozitës, Edi Rama, se "projekti i qeverisë "Shqipëria ullishte" është një skemë korruptive", ministri Gjana tha se "në katër vitet e ardhshme do të kalojmë nga mbjelljet qindra-hektarëshe në mbjellje mijëra-hektarëshe". Për këto arsye, - shpjegoi ministri Gjana, - me qëllim katër-pesëfishimin e numrit të ullinjve në vend, ka nisur puna për studimin mbi këtë program të madh. Programi për ullishtarinë do të bazohet në një sërë programesh e studimesh pjesore që janë kryer ndër vite, siç janë studimet e kryera në vitet 1990 nga një grup prej dhjetë profesorësh e pedagogësh të ish-Institutit Bujqësor të Kamzës, në vitin 2004 nga programi PHARE, nga programi i USAID–it, si dhe një sërë studimesh pjesore të kryera deri para dy vitesh nga ish-Instituti i Ullirit në Vlorë - sot Qendra e Transferimit të Teknologjive (QTTB) Vlorë, që disponohen nga strukturat e bujqësisë.

Koncesioni në tokat bujqësore, i bazuar në ligj

Procedurat koncesionare për tokat bujqësore po kryhen në përputhje të plotë me të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore. Kështu deklaroi dje ministri i BUMK, Jemin Gjana, ndaj akuzës së ngritur një ditë më parë nga kreu i opozitës, Edi Rama, "se koncesioni në bujqësi është koncesion për oborrtarët", duke sqaruar se "për dhënien me koncesion të 1000 ha tokë bujqësore për kultivim ulliri, është punuar për dy vjet rresht dhe kushdo është i lirë ta kontrollojë këtë proces". Sipas tij, kërkesa e studimit për këtë koncesion është paraqitur që në 2 maj 2007. Hap pas hapi është proceduar sipas akteve ligjore e nënligjore të ligjit të koncesioneve. "Përzgjedhja e kompanisë fituese është bërë pas një shpalljeje të një tenderi të hapur ndërkombëtar, të shpallur publikisht në buletinin e prokurimeve publike, në disa gazeta kombëtare dhe në një prej gazetave të huaja prestigjioze "Herald Tribune"”, - tha Gjana.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›