E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norvegjezët protestojnë para Gjykatës, këngë kundër Breivik

Ashtu sic kishin paralajmëruar një ditë më parë, dhjetëra-mijëra njerëz kanë protestuar sot në Oslo kundër ekstremistit të djathtë, Anders Bering Breivik, duke kënduar një këngë për paqen dhe unitetin, të cilën ai e urren. Mijëra të tjerë i janë bashkuar idesë edhe në qytete të tjera të Norvegjisë, duke kënduar “Children of the Rainbow”.
 

Breivik, i cili po i nënshtrohet procesit gjyqësor për vrasjen e 77 personave në korrik të 2011-tës, e ka quajtur këngën “shpëlarje marksiste të trurit”.
“Children of the Rainbow” është një interpretim norvegjez i këngës së këngëtarit amerikan, Pit Sixher “Rainbow Race”, e cila daton nga viti 1971.

Breivik ka pranuar se ka vrarë 8 persona me shpërthimin e bombës pranë ndërtesave qeveritare në kryeqytetin norvegjez dhe 69 të tjerë, kryesisht të rinj, në kampin e Partisë Laburiste në ishullin Utoja.

Por, ai nuk ka pranuar fajësinë, duke thënë se sulmet “ishin të nevojshme për të ndaluar politikat e Partisë Laburiste për multikulturalizëm” si dhe “pushtimin mysliman të Norvegjisë dhe Evropës”.

Breivik, duke dëshmuar në gjykimin e tij, ka thënë se kënga “Children of the Rainbow” është përdorur nga autoritetet për t`iu “shpëlarë trurin” fëmijëve norvegjezë, “me qëllim që të pranojnë shoqërinë multikulturaliste”.

Ndër të tjera ai e ka akuzuar këngëtarin norvegjez, Lillebjorn Nillsen, i cili ka kënduar versionin tjetër të këngës, se është “marksist i vetëdeklaruar”.

“Children of the Rainbow” është njëra nga këngët që është kënduar korrikun e kaluar në Oslo, kur mbi 100.000 njerëz nderuan viktimat e sulmeve.

Pavarësisht të gjithave vrasësi nuk jep asnjë shenjë pendimi, madje Breivik është shprehur në seancën gjyqësore se sulme të tilla do t`i bënte sërish.

Ndërsa në seancën e së mërkurës, ai ka hedhur poshtë raportin psikiatrik, i cili e deklaron atë të çmendur.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›