E Diel, 1 Nëntor 2026

Norvegji, Breivik para trupit gjykues

Anders Breivik / Foto Reuters

I liruar nga prangat e të burgosurit në hyrje të sallës së gjyqit, Anders Behring Breivik është paraqitur sot në Gjykatën e Oslos për akuzën e vrasjes së 77 njerëzve korrikun e kaluar në Norvegji.

Autori i masakrës së Oslos dhe Utojas ka përshëndetur familjarët e viktimave duke shtrirë dorën e djathtë të mbledhur grusht.

Breivik e ka shpjeguar këtë lloj përshëndetjeje në manifestin e tij si simbol i forcës, nderit dhe sfidës kundër tiranëve marksistë të Europës.

Ekstremisti i djathtë 33-vjeçar do të jetë në bankën e dëshmitarëve për 5 ditë me radhë, për të shpjeguar arsyet e vënies së bombës në qendër të kryeqytetit norvegjez dhe vrasjes së 69 të rinjve në ishullin Utoja.

Breivik mund të dënohet me 21 vjet burg dhe një tjetër dënim të veçantë që do të mbulojë të gjitha vitet e burgut për shkak të rrezikshmërisë që ai përbën për shoqërinë.

Ditë më parë, Breivik u shpall mendërisht i shëndoshë nga mjekët psikiatër që gjykata i kishte caktuar për vlerësimin e gjendjes së tij mendore. / Gazmira Ndoja

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›