E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefan Rohner, një udhëtim me biçikletë nga Barcelona në Tiranë

Udhëtimi i tij do të përfundojë në Tiranë. E ka nisur nga Barcelona, Perpignani, Montpelieri, Arles, Kana, Gjenova, La Spezia, Luça, Firence, Peruxhia... Bari prej andej në Dubrovnik e fill pas kësaj në Shqipëri. Si mjet udhëtimi ka zgjedhur një biçikletë, i shoqëruar nga një çantë shpine e mbi të gjitha nga një aparat fotografik. Quhet Stefan Rohner dhe është një fotograf gjerman me banim në Ibiza, Spanjë. Me të mbërritur në Tiranë, ai do të drejtojë një uorkshop për studentët e "Projekt 5.6", ku mes të tjerash do të përcjellë për të rinjtë e fotografisë por edhe më gjerë, përvojën dhe emocionet e udhëtimit të gjatë. Do të përshkojë rreth 2300 kilometra (1430 milje) dhe ndërkohë përshtypjet dhe fotografitë e bëra gjatë kësaj rruge do t‘i hedhë vazhdimisht edhe në faqen personale në internet. Portrete, peizazhe, njerëz të rrugës, e momente me kënaqësitë e çastit. Janë njerëz të thjeshtë, larg shkëlqimit të luksit... në fotografitë e Rohner-it, ata vijnë njerëzorë. Ai përpiqet të rrëmojë brenda tyre e të sjellë thellësinë. Thotë se në botën tonë ne jemi të dorëzuar para imazheve shkëlqimtare, reklamave sipërfaqësore në revista, televizione e me radhë, kështu që nuk është nevoja të prodhohet më shumë në këto gjëra. "Më pëlqen të tregoj ‘karaktere‘ të forta që "mahnisin" njerëzit", thotë fotografi, ndërsa tregon se shumë nga modelet e tij janë miq, fqinj, njerëz normalë. Sepse për artistin gjerman është e rëndësishme që modeli, protagonisti të ndihet mirë para objektivit të aparati. Mes fotografit dhe modelit duhet vendosur besimi. Fotografi duhet të ketë respekt për atë që fotografon. Me disa njerëz kjo arrihet në një kohë të shkurtër, me të tjerë ke nevojë të komunikosh më gjatë për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të besueshme. Gjithashtu ti mëson shumë edhe për jetën e tyre. "Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve, - vëren ai- janë ekzistencialistë, ata jetojnë jetët e tyre në kufi të një shoqërie me rregulla dhe kjo është ajo që dua, çfarë admiroj. Kur redaktoj punën që bëj, përpiqem t‘i tregoj ata si karaktere të fortë, me personalitete interesantë. Përpiqem t‘ju tregoj se çfarë i bën interesantë për mua".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›