E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: 55 efektivë të FA të angazhuar në Fier, evakuohen 10 familje


TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Forcat e Armatosura po vijojnë angazhimin e pandërprerë në terren, në mbështetje të operacioneve për shuarjen dhe vënien nën kontroll të vatrave të zjarrit në disa zona të vendit.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi informon se sot në qarkun Fier, në fshatin Drizë-Radostinë, bashkia Fier, janë angazhuar 55 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga dy helikopterë të Forcës Ajrore. Si masë parandaluese, janë evakuuar 10 familje.

Nufi tha se në Njësinë Administrative Ungrej, bashkia Lezhë, operacioni vijon me pjesëmarrjen e 80 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri të Forcës Ajrore.

Ndërkohë, në fshatin Qinam, Zall-Herr, janë angazhuar pesë automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore. Sipas Nufit, zjarri në këtë zonë konsiderohet i fikur.

Në Dajt vijon angazhimi i 30 efektivëve të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga një helikopter i Forcës Ajrore.

Në Mallunxë (Mat) janë angazhuar 30 efektivë dhe një automjet zjarrfikës i Forcave të Armatosura. Aktualisht, nuk paraqitet rrezik për banesat.

“Forcat e Armatosura vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë dhe në mbështetje të komuniteteve, aty ku nevojitet, për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret”, shprehet ministri Nufi.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›