E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Levan, MSHMS: Nëntë mjekë dhe infermierë dhe dy autoambulanca në terren

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se në vijim të situatës së krijuar sot nga zjarret në zonën e Levanit, ekipet shëndetësore janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje apo emergjence shëndetësore.

MSHMS bën me dije se “9 mjekë dhe infermierë të Qendrës Shëndetësore Levan dhe dy autoambulanca me personel shëndetësor nga Spitali Rajonal Fier janë angazhuar në terren. Njëra autoambulancë është e stacionuar në Levan, ndërsa tjetra është në gatishmëri për ndërhyrje sipas nevojës”.

“Deri në këto momente, 3 persona janë paraqitur me shenja asfiksie nga tymi dhe kanë marrë menjëherë ndihmën e nevojshme shëndetësore”, thuhet në njoftim.

MSHMS infomron se “për çdo rast të mundshëm të urgjencës kardiake, është koordinuar trajtimi pranë Spitalit Memorial Fier, për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe të specializuar”.

Strukturat shëndetësore vijojnë monitorimin e pandërprerë të situatës dhe mbeten në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur çdo nevoje të qytetarëve.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›