E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: Kontrata për prodhimin e dronëve me kompaninë izraelite vijon

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se Shqipëria ka në fuqi një kontratë për prodhimin e dronëve me një kompani izraelite dhe se marrëveshja vijon normalisht.

Në një konferencë për mediet, Nufi u pyet lidhur me marrëveshjen me kompaninë “Elbit” dhe raportimet për hetime apo pezullime të mundshme nga NATO, duke theksuar se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ndërprerje të saj.

“Kompani ‘Elbit’ është kontraktuar në bazë të marrëveshjes Shqipëri–Izrael, pasi Izraeli ka teknologji të avancuar në prodhimin e dronëve dhe të testuar. Kemi një marrëveshje për prodhim dronësh dhe kjo kontratë vazhdon. Nuk kemi asnjë shkresë për pezullim në Shqipëri nga NATO. Nuk kemi asnjë arsye të jemi në shkelje të kontratës për sa kohë ajo zbatohet nga të dyja palët”, deklaroi Nufi.

Ai shtoi se Shqipëria respekton rregullat ndërkombëtare për kontrollin e armëve dhe vepron si vend anëtar i NATO-s në përputhje me standardet e Aleancës, për eksportin e armëve.

Në të njëjtën konferencë, drejtori i kompanisë “KAYO”, Ardi Veliu deklaroi se procesi i prodhimit të dronëve “Made in Albania” vijon, pavarësisht disa vonesave të shkaktuara nga situata në Lindjen e Mesme dhe zinxhiri i furnizimit.

“Gjithçka po ecën shumë mirë, përjashtuar vonesat që lidhen me konfliktin në Lindjen e Mesme, por deri në verë do të kemi të përfunduar kompleksin e prodhimit”, tha Veliu.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›