E Diel, 1 Nëntor 2026

Nufi: Marrëveshja me “Fincantieri” në fazë zbatimi, dy mjete lundruese për FA

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi bëri të ditur sot, gjatë një konference me gazetarët, se marrëveshja me kompaninë italiane “Fincantieri” për prodhimin e mjeteve lundruese ushtarake ndodhet në fazë zbatimi dhe se pritet të sjellë një ndikim të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve detare të Forcave të Armatosura dhe në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Shqipëri.

Sipas tij, marrëveshja parashikon prodhimin e mjeteve lundruese për Forcat e Armatosura shqiptare, përfshirë dy njësi të pajisura me sisteme të avancuara mbrojtjeje, të cilat nuk do të jenë thjesht anije patrulluese, por platforma të afta për të përmbushur misione të ndryshme operacionale.

“Ne kemi një marrëveshje me ta për prodhimin e mjeteve lundruese. Dy nga këto janë për Forcat e Armatosura, të pajisura me sisteme më të fundit të mbrojtjes. Nuk do të jenë thjesht anije patrulluese, por sisteme të avancuara të gatshme për çdo mision që do t’i kërkohet Shqipërisë”, u shpreh Nufi.

Ministri theksoi se bashkëpunimi mes shoqërisë shqiptare “KAYO” dhe “Fincantieri” përbën një projekt me karakter të gjerë industrial, ku mbi 90% e klientëve të synuar nuk janë nga Shqipëria apo Italia, por nga tregje të tjera ndërkombëtare.

Sipas tij, kjo e kthen projektin jo vetëm në një investim për kapacitetet ushtarake, por edhe në një nismë të rëndësishme ekonomike dhe industriale për vendin.

“Kjo është një arritje shumë e madhe për ne si shtet dhe si Ministri e Mbrojtjes, që të kemi një marrëveshje me një kompani lidere në Evropë për prodhimin e anijeve. Plani i biznesit është i konsiderueshëm dhe garantoj për përfitueshmërinë financiare të projektit”, tha ai.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, sipas ministrit, është krijuar edhe struktura e përbashkët mes “KAYO”-s dhe “Fincantieri”-t, ndërsa hapat e ardhshëm përfshijnë regjistrimin ligjor, zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe punësimin e stafit.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes ka ardhur në jetë edhe krijimi i shoqërisë së përbashkët mes “Fincantieri” dhe “KAYO”. Hapat e tjerë janë ligjorë, regjistrimi në QKB, punësimi i njerëzve. Në 24 muaj do të kemi produktet e para nga ky bashkim operatorësh”, deklaroi Nufi.

Gjithashtu, Ardi Veliu, kreu i kompanisë “KAYO” tha se marrëveshja për bashkëpunimin me kompaninë italiane “Fincantieri” është rezultat i një procesi negociator gjashtëmujor.

Sipas tij, pjesë thelbësore e planit të biznesit është edhe rivitalizimi i kantierit ekzistues në Shqipëri, një proces që pritet të zgjasë në kohë, por që do të rrisë ndjeshëm kapacitetet prodhuese të vendit.

“Konkretizimi i marrëveshjes ishte falë punës gjashtëmujore negociatore me “Fincanteri”-n dhe pjesë e planit të biznesit është edhe rivitalizimi i kantierit aktual. Kjo do të marrë kohë, por do të sjellë një kapacitet të shtuar për vendin tonë”, u shpreh Veliu.

Sipas Veliut, në planin e biznesit parashikohet një volum pune prej rreth 1 miliard euro gjatë viteve të ardhshme, duke e konsideruar projektin si një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e industrisë së mbrojtjes dhe ndërtimit detar në vend.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›