Nufi: Masat kundër zjarreve në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi deklaroi sot se janë marrë të gjitha masat për përballimin e emergjencave të shkaktuara nga zjarret gjatë sezonit veror.
Në një konferencë me gazetarët, ku të pranishëm ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, dhe kreu i kompanisë “KAYO”, Ardi Veliu, Nufi u shpreh se masat e marra janë në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal.
“Marr shkas të rikujtoj punën e jashtëzakonshme që është bërë në përballimin e situatës së zjarreve vitin e kaluar, një situatë e paprecedentë për shkak të kushteve atmosferike jashtë parashikimeve. Përgjegjësia jonë është t’i përballojmë këto situata në mënyrën më efikase, duke angazhuar të gjitha strukturat, duke nisur nga niveli lokal, rajonal e më tej në nivel kombëtar”, tha Nufi.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako bëri të ditur se janë zhvilluar takime me prefekturat dhe bashkitë për koordinimin e masave paraprake.
“Masat realizohen edhe në kuadër të informacionit dhe angazhimit që kemi pasur në vitin 2025 dhe më herët. Janë marrë të gjitha masat në bazë të planit kombëtar të emergjencave. Në këtë kuadër, është organizuar një bashkëpunim i ndërsjellë në nivel vendor, rajonal dhe kombëtar. Jemi duke përfunduar takimet me të gjitha bashkitë dhe prefekturat për të angazhuar në mënyrë sa më efikase të gjitha strukturat në dispozicion të institucioneve lokale”, tha Çako.
Ai shtoi se të gjitha strukturat janë në gatishmëri të plotë për përballimin e zjarreve gjatë vitit 2026. Sipas tij, korriku dhe gushti janë muajt më problematikë për shkak të temperaturave të larta. Çako theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështetet nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile, i cili aktivizohet kur kapacitetet vendase tejkalohen.
Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, deklaroi se strukturat e dedikuara janë në gatishmëri të plotë, duke nisur nga Burreli, Korça, Tirana, Berati, Kuçova e të tjera zona të vendit.
/a.f/r.e/