Nufi: Opozita iraniane në Shqipëri e mikpritur në kushte humanitare

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi në konferencën e sotme për mediet iu përgjigj interesit të gazetarëve lidhur me opozitën iraniane të strehuar në Shqipëri, ku theksoi se “opozita iraniane që ndodhet në Republikën e Shqipërisë është mikpritur në kushte humanitare, ata janë këtu për strehim humanitar”.
“Shqipëria ka strehuar një organizatë që ka qenë në rrezik ekzistencial. Nëse disa mund ta dinë, kampi i mëparshëm i kësaj organizate është sulmuar dhe kanë vdekur 50 persona brenda një nate në Irak”, tha Nufi.
Ministri Nufi u shpreh se “ata kanë ardhur dhe kanë gjetur strehim në Shqipëri, nën veshjen e ndihmës humanitare që ne kemi dhënë. Ata nuk janë e vetmja opozitë e Teheranit”.
“Ne nuk kemi nga SHBA një koordinim të drejtpërdrejtë sa i përket përfshirjes ose jo të kësaj opozite në negociata apo diskutime me Iranin, edhe për shkak të kushteve aktuale dhe faktit që pjesa më e madhe e pjesëtarëve të kampit që ndodhen në Shqipëri janë në një moshë shumë të madhe”, tha Nufi, duke shtuar se ata nuk kanë përbërë rrezik as atëherë, as sot.
/k.s/a.f/r.e/