E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk Xhelilaj fiton"Shooting Stars"në Berlinale

BERLIN- Nik Xhelilaj, aktori i ri shqiptar është nderuar me çmimin "Shooting Stars 2011" në Festivalin e Filmit në Berlin për rolin e tij në filmin "Shqiptari" të regjisorit gjerman Johannes Naber.

Cmim i shkoi edhe nëntë aktorëve të tjerë, të përzgjedhur nga 32 vende të botës, që u dalluan për interpretimet e tyre në filma të ndryshëm gjatë këtij festivali. Çmimet u ndanë nga aktori Ralph Fines, protagonist në filmin “Pacienti anglez”, i cili u dhuroi aktorëve miniskulpturën "Maria", sipas personazhit të filmit Metropolis.

Ndër 10 fituesit e këtij çmimi janë edhe disa që janë të njohur përtej kufijve të vendeve të tyre, si aktori irlandez Domhnall Glaesson, i cili ka luajtur tek Harry Potter dhe që në Berlinale merrte pjesë me filmin e hapjes "True Grit".

Programi "Shooting Stars" financohet nga Agjencia për Promovimin e Filmave Evropianë dhe u ofron fituesve mundësi të promovimi, si takime me agjencitë audicionale në Berlinale apo vizita nëpër festivale të ndryshme në Evropë si dhe në Hollywood.

Kjo nuk është hera e parë që Nik Xhelilaj vlerësohet për interpretimin e tij në filmin "Shqiptari" të regjisorit gjerman Johannes Naber. Xhelilaj është fituesi i disa çmimeve si Çmimi aktori më i mirë dhe Çmimi special i jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, Çmimi aktori më i mirë në Festivalin e Filmit në Antalia, Çmimi special në Festivalin e Prishtinës 2010, etj.

"Shqiptari" do të shfaqet në datën 20 shkurt në Berlinale, pas shfaqjes së filmave të tjerë që përfaqësojnë Shqipërinë, "Amnistia" dhe "Falja e gjakut".
(s.g/atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›