Nuk arrihet marrëveshje mes minatorëve dhe firmës “ACR”

Ka përfunduar pa marrëveshje takimi mes minatorëve të Bulqizës dhe administratorit të kompanisë ACR Giga Bedinishvilli.
Pas 2 orë e 30 minuta bisedime të dyja palët nuk arritën të nënshkruajnë një marrëveshje për t`i dhënë fund grevës së urisë së minatorëve në Bulqizë.
Në një konferencë për shtyp pas përfundimit të takimit, kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla ka deklaruar se kompania nuk ka pranuar asnjë kërkesë të minatorëve.
“Me një person të papërgjegjshëm pritej kjo lloj përgjigje negative. Fatkeqësisht ky njeri kërkoi takim në një lokal dhe minatorët e pranuan, por ai në mënyrë të papërgjegjshme nuk pranoi asnjë nga kërkesat e minatorëve” theksoi Nikolla.
Nikolla ka theksuar gjithashtu se greva e urisë do të përshkallëzohet më tej deri në plotësimin e kërkesave të minatorëve.
"Ne do të vazhdojmë grevën dëri sa të plotësohen kërkesat tona të ligjshme. Që nga ky moment minatorët i bëjnë thirrje të gjithë krerëve të partive parlamentare dhe deputetëve të ndërpresin pushimet dhe të solidarizohen me minatorët.Ne nuk do të lejojmë të humbë jetën ndonjë minator por në minierë do të hyjnë të tjerë minatorë dhe gjithashtu do të garantojmë mbarëvajtjen e minierës” ka shtuar Nikolla.Ndërkohë 13-të minatorë të Bulqizës prej 19-të ditësh ndodhen një grevë urie në nivelin e 14-të të minierës ndërsa sot gjendja e tyre shëndetësore paraqitet mjaft e rëndë.
Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Bulqizës Roland Keta ka përshëndetur sot takimin mes minatorëve dhe administratorit të ACR-së Giga Bedinishvilli. Në një prononcim për mediat Keta ka insistuar sërish që palët të ulen në bisedime për të arritur një marrëveshje në lidhje me situatën e krijuar në Bulqizë. “Ulja në bisedime është rruga e vetme që mund të ofrojë një zgjidhje për situatën e krijuar” ka theksuar Keta.