ACR: Ramë dakort për një memorandum mirëkuptimi

Administratori i kompanisë ACR Giga Bedineishvili e ka cilësuar si pozitiv takimin e zhvilluar ditën e sotme me përfaqësuesit e minatorëve ndërsa ka shtuar se të dyja palët kanë rënë dakort të hartohet një memorandum mirëkuptimi i cili do t`u dërgohet minatorëve të Bulqizës.
Në një deklaratë për shtyp Bedineishvili ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar rreth situatës së krijuar si pasojë e grevës si dhe është biseduar për problemet e përbashkëta.
“Ishte një takim pozitiv, më në fund arritëm të uleshim së bashku me minatorët pa pjesmarrjen dhe ndërhyrjen e njerëzve jashtë kompanisë dhe mund të them se kemi ecur përpara. Ne informuam minatorët se ACR tashmë ka plotësuar kërkesat e tyre për rritjen e pagës 20%, përmirësimin e mëtejshëm të kushteve të punës si dhe transparencë të plotë të investimeve në minierën e Bulqizës. Në përfundim të takimit u ra dakord që ACR do të hartojë sa më shpejt të jetë e mundur memorandumin e mirëkuptimit të cilin do të ua dërgojë menjëhëre minatorëve”, thekson në deklaratën e tij administratori i kompanisë ACR.
Ndërkohë takimi i sotëm mes minatorëve dhe administratorit të kompanisë "ACR", përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete.