Nuk bie dakord për pazarin, tenton të vjedhë taksistin
Denoncimi, arrestohet 35-vjeçari Bujar Hyseni nga Memaliaj
I arrestuari, me precedentë të mëparshëm penalë
Nuk bie dakord për pazarin, tenton të vjedhë me dhunë, nën kërcënimin e thikës, taksistin. Por, taksisti ka mundur të dalë nga automjeti, e ka braktisur atë, por pa harruar që më parë të marrë edhe çelësat, çka bëri të pamundur largimin e agresorit. Sapo ka dalë nga automjeti i tij taksi, taksisti ka lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Pas denoncimit nga ana e taksistit, policia e Gjirokastrës ka mundur që brenda një kohe të shkurtër të vërë në pranga agresorin, shtetasin Bujar Hyseni nga Memaliaj, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Arrestimi i këtij shtetasi, sipas burimeve zyrtare të policisë së Gjirokastrës, është bërë në kushtet e flagrancës, ndërkohë që 19 vite më parë është dënuar për plagosje të lehtë të një komshiut të tij.
Ngjarja
Ngjarja për të cilën akuzohet Hyseni ka ndodhur dy ditë më parë, rreth mesditës në qytetin e Gjirokastrës, kur 35-vjeçari ka faturuar një automjet taksi me targa GJ 190 A, me drejtues mjeti shtetasin S.Th., banues në Gjirokastër, për të shkuar në Komunën Lunxhëri, në fshatin Erind. Pasi ka shkuar dhe taksia e ka pritur gjer sa ka mbaruar punë, janë nisur sërish për në Gjirokastër. Gjatë rrugës, shtetasi Hyseni ka debatuar me drejtuesin e automjetit për punën e pazarit, pasi nuk ishte dakord dhe në vendin e quajtur fshati Valare, disa metra pa hyrë në fshat, ky shtetas ka nxjerrë një armë të ftohtë, përkatësisht një thikë dhe nën kërcënimin e saj ka tentuar të vjedhë automjetin taksi. Sipas burimeve policore, drejtuesi i mjetit ka mundur të dalë nga makina pa u lënduar, duke marrë edhe çelësat me vete dhe ka lajmëruar policinë. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë ku kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e këtij shtetasi, si dhe bllokimin dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale të armës së ftohtë (thikë). “Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”, parashikuar nga neni 139 i Kodit Penal”, - përfunduan burimet zyrtare policore.