E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: U mbyllën hetimet për Gërdecin



Deklarata: Dosja në Gjykatën e Lartë, çështje ditësh

Afati i fundit hetimor për dosjen, data 17 mars

Në prag të përvjetorit të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe mbetën të plagosur 300 të tjerë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi dje se dosja e plotë hetimore për tragjedinë e Gërdecit do të shkojë brenda pak ditëve në gjykatë. Deklarimi është bërë dje gjatë një prononcimi të shkurtër që Kryeprokurorja pati për mediat, në përfundim të një takimi të iniciuar nga EURALIUS, lidhur me etikën e gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë një gjykimi. Përballë gazetarëve të interesuar për hetimet e tragjedisë së Gërdecit, Ina Rama tha se “dosja nuk ka shkuar ende në gjykatë. Ne jemi në përfundim e sipër të të gjitha veprimeve, por është çështje ditësh. Dosja me të gjitha hetimet do të dërgohet këto ditë në Gjykatën e Lartë”. Ndërkohë që pas komunikimit të akuzës dhe njohjes me aktet në përfundim të hetimeve të 28 të pandehurve, burime pranë grupit hetimor bëjnë të ditur se dosja do të dorëzohet në Gjykatën e Lartë brenda datës 17 mars. Të njëjtat burime theksojnë se dosja është duke u kopsitur dhe mund të dorëzohet sot në Gjykatën e Lartë ose ditën e martë, më 17 mars, kur është edhe dita e fundit e afatit hetimor.

Hetimet

Komunikimi i akuzës për 28 të pandehurit dhe njohja me aktet kanë qenë veprimet e fundit hetimore nga ana e grupit hetimor, që hetoi për gati një vit tragjedinë e Gërdecit. Dy javët e fundit kanë qenë të ngjeshura për grupin hetimor, të cilët kanë kryer procedurat e fundit për hetimin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Gjatë këtyre ditëve, prokurorët kanë firmosur arrestimin e një tjetër personi, i cili deri një javë më parë ka qenë nën hetim me masën “detyrim paraqitje”. Bëhet fjalë për të pandehurin Sokol Ngjeçi, i cili ka pasur detyrën e mbikëqyrësit të MEICO-s, detyrë që rezulton gjatë hetimit, që nuk e ka zbatuar. Pasi i është komunikuar ndryshimi i akuzës, ai është njohur me përfundimin e hetimeve dhe njohjen me aktet. Po e njëjta procedurë është ndjekur javën e kaluar edhe me tre të pandehurit e tjerë të arrestuar, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, të akuzuar për vrasje masive. Tre të pandehurit e arrestuar në fillim të këtij hetimi janë njohur me aktet dhe i kanë firmosur ato në prani të avokatëve të tyre, Maks Haxhia e Ardian Leka, në ambientet e burgut 313-të. Por, përveç tyre, janë edhe 25 të pandehur në gjendje të lirë, kryesisht ish-zyrtarë të lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, ushtarakë të lartë dhe ish-komisionerë në vlerësimin e shitjes së municioneve.

Akuzat

“Shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “vrasje masive” janë disa nga akuzat për 28 të pandehurit e dosjes “Gërdeci”. Dosja do të gjykohet nga një Kolegj Penal në Gjykatën e Lartë, për shkak të faktit se në këtë grup të pandehurish është edhe një deputet, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Gjithashtu, të pandehur janë edhe ish-funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ushtarakë të lartë, si shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, zv.shefi i Shtabit, Zija Jahja dhe komandanti i Komandës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu. Për këtë ngjarje janë marrë në total 28 persona të pandehur, nga të cilët 4 janë në qelitë e paraburgimit dhe të tjerët në gjendje të lirë. Aktualisht në qeli ndodhen Delijorgji, Pinari dhe Minxholli, për akuzën e “vrasjes masive në bashkëpunim”, si dhe Sokol Ngjeçi, se ka lejuar shkarkimin e një sasie tej rregullave dhe normave të lejuara në punishte dhe nuk ka marrë masat e duhura për shmangien e grumbullimit të sasive të konsiderueshme të municioneve në Gërdec. Ndërsa janë marrë të pandehur në muajin shkurt ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu; ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullai, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Të pandehurit akuzohen si shkaktarë të tragjedisë së 15 marsit të vitit të kaluar, direkt apo indirekt, me veprime apo mosveprime, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm humbën jetën 26 persona, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›