Në Gërdec, tek fshati “i rilindur”
Banorët tregojnë se dikur, përreth fabrikës së municioneve, u pësuan edhe dëmet më të mëdha. Por, tani shtëpitë janë ringritur sërish, edhe pse disave u është ndryshuar vendndodhja
Për një banor të Gërdecit, i cili ka kohë që nuk ka vizituar fshatin e tij, pamja e re që ai shikon, është vërtet e ndryshme nga kujtimet e mëparshme. Tashmë, në të gjithë zonën ka shtëpi të reja, të tjera që u është ndryshuar vendndodhja, ndërtesa me më shumë kate të sapobëra. Një vit më parë, ditën e shtunë të 15 marsit të vitit 2008, pas shpërthimit të municioneve në fabrikën e demontimit, humbën jetën 26 persona, u plagosën 300 të tjerë dhe u shkatërruan shumë banesa të fshatit. Një numër i madh predhash u shpërndanë në të gjithë territorin e fshatit, duke e bërë jetesën në vend të pamundur. Tashmë, një vit më pas, në zonën e Marqinet 2-shit, nuk ka më asnjë “gjurmë” të shpërthimit të tmerrshëm, që bëri që kombi shqiptar të mbante një ditë zie për tragjedinë e ndodhur.
Për të shkuar në Gërdec, pasi ke mbërritur në qendrën e Vorës, shkon për poshtë në një rrugë dhe ecën për gati 1 km. Më pas, merr në të djathtë të saj, ndërsa kalon poshtë një tuneli, mbi të cilin mbahet superstrada Tiranë - Durrës. Sapo kalon shinat e trenit, duken shtëpitë e para. Në fshat shkohet nëpërmjet një rrugice të gjatë gati 400 m dhe të gjerë rreth 5 m, në anën e së cilës shikon tek-tuk, shtëpi trekatëshe, me ngjyra të freskëta, të cilat të tregojnë se mbi to nuk ka shumë kohë që është “vënë dorë”. Në anën e majtë vërehet një hapësirë e madhe toke, e përmasave sa të dy fushave të futbollit, e mbushur nga bari i gjelbër. Ngjitemi më sipër.
Gjatë rrugës takojmë Arianin, një banor i fshatit. Ecim sipër, drejt vendit ku një vit më parë ndodhi shpërthimi. 25-vjeçari flet për jetën në fshat pas shpërthimit. Për të gjërat i janë rikthyer normalitetit. “E rëndësishme është që pas gjithë asaj që ndodhi, ne jemi gjallë. Shtëpitë i kemi ngritur sërish. Vazhdojmë të jetojmë si gjithmonë”, - shprehet ai, ndërsa na shoqëron në brendësi të Gërdecit. Drejtohemi për tek krateri. Në rrugicë vjen degëzimi i parë. Ariani ecën për majtas, ndërsa ngjitemi sipër.
Nga larg dallohet uniforma blu e një punonjësi të Policisë Ushtarake, i cili qëndron pranë një kabine të bardhë të një postblloku, mbi traun e ngritur të së cilës është vendosur një tabelë që shkruan “Zonë e ndaluar”. Para tij, në të djathtë, një grumbull punëtorësh janë duke punuar në një kantier.
E gjithë pjesa e sipërme është marrë nën kontroll nga Policia Ushtarake, e cila nuk lejon që të kalojë asnjë person, përveçse nëse zotërohet një autorizim, edhe pse banorët e Gërdecit, si njohës të mirë të terrenit të vendit të tyre, e kanë të lehtë që të shkojnë në çdo vend.
Më në thellësi të fshatit shtohet numri i shtëpive. Banorët tregojnë se dikur, përreth fabrikës së municioneve, u pësuan edhe dëmet më të mëdha. Por, tani shtëpitë janë ringritur sërish, edhe pse disave u është ndryshuar vendndodhja. Tashmë, përreth ka shtëpi trekatëshe, të cilat kanë përfunduar ose janë në përfundim e sipër. Për Besimin, banor i fshatit, “dhurata” më e madhe është që ai dhe familja e tij, nga gjithë ai shpërthim nuk kanë pësuar asgjë. “Shtëpitë i kemi ringritur nga e para. Pasi ato u shkatërruan, ne i bëmë më të mira. Çdo njeri do bëjë diçka më të mirë për veten, edhe pse ne shpërthimi na dëmtoi së tepërmi. Po kemi përshtatur ca gjëra të mira, pas kësaj të keqeje”, - përfundoi ai. Por megjithatë, një problem shqetësues për të gjithë banorët e Gërdecit janë minat, të cilat u përhapën në të gjithë territorin. Rexhepi, 51 vjeç, i cili jetesën e siguron me bujqësi, shprehet se pas shpërthimit, ai e ka të vështirë të punojë tokën, pasi ekziston ende frika e shpërthimit të predhave. “Banesën e kam rregulluar, por për të jetuar duhet të punoj tokën. Tani punoj vetëm një pjesë, pasi në tjetrën nuk mund ta bëj, për shkak të predhave”, - shprehet ai. Qeveria shqiptare ka çuar një ekip të xhenios, të cilët merren me gjetjen dhe çaktivizimin e predhave të shumta, të cilat janë shpërndarë në fshat. Edhe pse tashmë në një pjesë të mirë të territorit mund të punohet lirisht, sërish në vende të tjera ka ende rrezik. Megjithatë, kur kujtojnë shpërthimin e ndodhur një vit më parë, shumica e banorëve të Gërdecit i gëzohen faktit që janë gjallë. Gërdeci i është rikthyer jetesës së përhershme, me fëmijët që shkojnë në shkollë, banorët që punojnë dhe punëtorët që vazhdojnë të ngrenë shtëpitë e shkatërruara.
Tashmë në fshat ka sërish normalitet, me banorët duke shikuar nga e ardhmja dhe duke u përpjekur të harrojnë të shkuarën, edhe pse krateri i krijuar nga shpërthimi i municioneve do të vazhdojë t’u kujtojë atyre, sa herë që të kalojnë pranë, se në 15 mars të vitit 2008 humbën jetën 26 banorë të fshatit dhe u plagosën 300 persona të tjerë. Ora shënon 15:20 dhe Gërdecin e prek qetësia e drekës, ndërsa era e lehtë valëvit flamurin kuqezi të vendosur në shumë prej shtëpive të rindërtuara. Eci poshtë rrugicës për t’u larguar nga fshati, ndërsa aty-këtu dëgjohet zhurma e çekiçit që përplaset mbi tulla, që tregon se diku afër ende po punohet për të mbaruar së ngrituri një shtëpi.
Shpërthimi në Gërdec
Shpërthimi i parë në Gërdec ndodhi në orën 12:13 të ditës së shtunë, më 15 mars 2008. Ndërkohë, shpërthimi i dytë dhe më shkatërruesi, në 12:23, ku pati 26 të vdekur dhe rreth 300 të plagosur. Sasia e municioneve në fabrikë ishte 3 mijë tonë predha të kalibrit 60-152 mm. Gjatë operacionit për t’i ardhur në ndihmë banorëve u angazhuan 1000 forca të ushtrisë morën pjesë në operacion dhe 500 forca të policisë.
Si pasojë e shpërthimit Gërdeci, Marqineti, Vora, Marikaj, Maminasi dhe disa fshatra të tjerë u bënë zona të minuara. Predhat u shpërndanë kudo, në banesa dhe hapësira të gjelbra, ara të mbjella dhe kodrinat përreth. Pas fillimit të hetimeve nga ana e prokurorisë, në pranga ranë katër persona, të cilët akuzohen se kanë lidhje me shpërthimin e ndodhur. Në Gërdec ishte një fabrikë për demontimin e municioneve. Si pasojë e municioni të shumtë që ndodhej aty, u shkaktua edhe shpërthimi i madh, që solli edhe tragjedinë në Gërdec.