Nuk bindet Pantiç: Zgjedhjet serbe në tri komuna të Kosovës

Përfaqësuesit politikë të serbëve nga pjesa veriore e Kosovës, nuk i përfillin apelet e ministrit për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, për mos organizimin e zgjedhjeve lokale serbe në territorin e Kosovës. Ata thonë se kryetarja e parlamentit të Serbisë, Slavica Djukic-Dejanovic i ka shpallur zgjedhjet në gjithë territorin e Serbisë, përfshirë, siç thonë ata, edhe Kosovën, kështu që mos organizimi i zgjedhjeve, nga këta përfaqësues, konsiderohet se do të ishte shkelje e vendimeve shtetërore serbe.
Kryetari paralel i komunës së Mitrovicës, Krstimir Pantic thotë se deklaratat e ministrit Bogdanovic nuk i merr askush seriozisht, ndaj sipas tij, zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha komunat e Kosovës ku aspektet e sigurisë lejojnë mbajtjen e tyre dhe në cilat organeve lokale u ka skaduar mandati.
“Sa i përket veriut, jam i sigurt se do të mbahen në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut”, thekson Pantic, ndërsa shton se zgjedhjet do të mbahen edhe në komunën e Shtërpcës.
Përveç këtyre tri komunave, Pantic aktualisht nuk është i sigurt nëse zgjedhjet do të organizohen edhe në mjedise tjera ku jetojnë serbët.
Ndërkaq një tjetër lider i serbëve të veriut, Milan Ivanovic, thotë se është jo e logjikshme që të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale e të mos mbahen ato lokale.
“Nëse do të pranonim që të mos i mbajmë zgjedhjet lokale kjo do të nënkuptonte se po e pranojmë planin e Ahtisarit dhe Kosovën e pavarur”, thotë Ivanovic.
Sipas tij, deklaratat e Bogdanovicit nënkuptojnë shuarjen e institucioneve serbe duke i konsideruar apelet e ministrit serb të papranueshme.
Ndryshe, Bogdanovici u ka thënë këto ditë medieve serbe se Serbia nuk do të organizojë zgjedhjet lokale në Kosovë.
Sipas tij, qeveria serbe nuk dëshiron në asnjë mënyrë të shkelë Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit dhe t`i vë në rrezik serbët që jetojnë në jug të Lumit Ibër.
Nga nga ana e Parlamentit dhe Qeverisë së Kosovës janë shpallur tashmë si ilegale dhe të ndaluara.
Madje, institucionet e Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar jo vetëm konfiskimin e materialeve zgjedhore, por organizatorëve u kanë tërhequr vërejtjen se do të ballafaqohen me pasoja ligjore.