E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kundër politikës kosovare për ushtrim të forcës në veri

Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe analistët ndërkombëtarë i cilësuan joproduktive dhe në shpërputhje me parimet evropiane kërkesat e shtuara në skenën politike kosovare që flasin për nevojën e përdorimit të forcës rreth shtrirjes së sovranitetit në veri të Mitrovicës.

Ata thanë se “tensionet dhe provokimet” e fundit në marrëdhëniet Kosovë-Serbi ishin në kundërshtim me “frymën e dialogut” në mes të dyja palëve.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Siguri, Catherine Ashton, theksoi nevojën për përmbajte duke i bërë thirrje Prishtinës e Beogradit të veprojnë përgjegjshëm në bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare.

Përdorimi i forcës, sipas saj, duhet të përjashtohet si mjet për zgjidhjen e problemeve, pasi nuk do t`i kontribuonte situatës, nuk do ta përmirësonte dhe as nuk do ta qetësonte atë.

Komenti i saj pason deklaratat e zyrtarëve kosovarë, të cilët nuk përjashtuan mundësinë e përdorimit të forcës për vënien e sundimit të ligjit në veri të Kosovës dhe kërkesat e opozitës që të veprohet sa më parë në këtë drejtim.

Mirëpo, Sabine Freizer nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, i quajti të rrezikshme deklaratat dhe kërkesat për shtirjen e sovranitetit në veri të Kosovës përmes aparatit të forcës.

Ajo shfaqi shpresën që pas zgjedhjeve serbe të 6 majit të rikthehet besimi për vazhdimin e dialogut ndërmjet palëve.

Sfida e radhës në këtë drejtim, sipas Freizer, do të jetë pikërisht dita kur planifikohet të mbahen zgjedhjet në fjalë.

Pas mbajtjes së zgjedhjeve serbe dhe formimit të qeverisë së re në Beograd është paralajmëruar, në ndërkohë, vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës e Serbisë.

Diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë sugjeruar nisjen e një dialogu politik me temë boshte çështjen e veriut të Kosovës.

Duke mos hedhur poshtë gatishmërinë e BE-së që të ndërmjetësojë një dialog të natyrës politike për veriun, Kocijançiq tha se fokusi i Brukselit do të jetë vazhdimi i procesit të deritashëm.


Takimi i fundit i delegacionit kosovar dhe atij serb, i cili u mbajt në Bruksel në fund të shkurtit, kishte rezultuar me marrëveshjen për bashkëpunim rajonal.

Në kuadër të marrëveshjeve të arritura, deri më tani, hyn dhe ajo për lirinë e lëvizjes dhe disa marrëveshje të tjera të cilat, sipas Prishtinës zyrtare, nuk po zbatohen në terren nga qeveria serbe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›