Rama trembet dhe nis ndërtimin e sheshit Skënderbej
Një ditë pas nismës së qeverisë, Rama shpejton
Do të nevojitej nisma e qeverisë për asfaltimin e qendrës së kryeqytetit, që Edi Rama të dilte përpara kamerave, si kryetar i Bashkisë së Tiranës pas më shumë se dy muajve. Këtë herë, kryebashkiaku Rama shpejtoi që të çelte punimet për ndërtimin e sheshit Skënderbej, tre vjet pasi kishte deklaruar se punimet do të nisin brenda pak javësh. Kryebashkiaku Rama, i shoqëruar nga përfaqësues të donatorëve kuvajtian deklaroi dje se punimet për ndërtimin e sheshit Skënderbej do të përfundojnë brenda nëntë muajve dhe se Tirana do të ketë për herë të parë një qendër që i shkon për shtat një kryeqyteti evropian. Ky është projekti më i madh dhe më i ndërlikuar që Bashkia e Tiranës ndërmerr të realizojë, pas një ecurie shumë të gjatë për të ardhur deri këtu, një plani të përgjithshëm të qendrës, një konkursi të veçantë për sheshin Skënderbej, me një projekt fitues që ka ngjallur interes në të gjitha qarqet e arkitekturës ndërkombëtare dhe është publikuar në disa raste jashtë Shqipërisë deklaroi kryebashkiaku Rama. Por duket se gjithë kjo shpejti e vonuar nuk vjen si një pasojë e procedurave normale të Bashkisë së Tiranës. Vetëm përpara pak ditëve më parë, gazeta standard ishte interesuar pranë këtij institucioni në lidhje me nisjen e punimeve dhe përgjigja e dhënë ishte se punimet do të nisin pasi qeveria të bënte shpronësimet. Ajo çka duket se shërbeu si katalizator i përshpejtimit të procedurave nga Bashkia e Tiranës ishte nisma e ditës së mërkurë e kryeministrit Berisha për asfaltimin e qendrës së Tiranës, një ndër pjesët më të lëna pas dore të kryeqytetit, që ishte kthyer një makth i vërtetë për të gjithë qytetarët. Pas kësaj nisme, që do të fillonte zbatimin sot, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama shpejtoi të rimerrte nën kontroll territorin përpara zyrës së tij, duke çelur punimet. Sot është një ditë shumë e rëndësishme, sot është një ditë për të bashkuar të gjitha forcat dhe energjitë dhe jo për tI ndarë fjalët mes palësh që në fakt nuk duhet të ekzistojnë kur është fjala për një kantier kaq të rëndësishëm, kur është fjalë për kartvizitën jo vetëm të kryeqytetit por të të gjithë Shqipërisë, madje të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Kosovë, Maqedoni e kudo dhe që sheshin Skënderbej e konsiderojnë si sheshin qëndror të vendit amë. deklaroi kryebashkiaku Rama. Ndërkaq, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bëjnë durim pasi kompleksiteti i veprës do të bëjë që shoferët të hasin probleme në trafikun rrugor. Dua tu bëj të ditur qytetarëve se kompleksiteti i projektit kërkon bashkëpunimin e të gjithëve, sepse pa dyshim, trafiku I cili do të devijohet, do të ketë vështirësitë e veta. Duhet durim, duhet mbështetje, me bindjen se pas një periudhe jo të lehtë për shkak të punimeve intensive por shumë të gjera që do të kryhen në shesh, do të kemi sheshin që të gjithë kemi dëshiruar për vite e vite me radhë. deklaroi Rama. Ndërkaq, këtë bashkëpunim të kërkuar nga të gjithë, duket se nuk e ka pranuar nga qeveria qëndrore, nisma e së cilës është refuzuar në mënyrë arbitrare, duke deklaruar nisjen e punimeve, pikërisht ditën që do të zbatohej nisma e qeverisë. Ajo çka mbetet për tu parë është nëse kjo çelje punimesh i ka me të vërtetë të gjitha potencialet, apo do të mbetet vetëm një çelje punimesh për të penguar qendrën e kryeqytetit, e duke e lënë atë për vite të tëra në gjendje skandaloze. Faza e parë e punimeve Faza e parë e punimeve është në vlerën prej 4,300,000 EURO dhe do të realizohet nga kompania Kuvajtiane MAK&Sons Group. Në fazën e parë të Projektit është parashikuar që të realizohen punimet e infrastrukturës inxhinierike nëntokësore në të gjithë sipërfaqen ku është parashikuar të shtrihet sheshi i ri Skënderbej bën të ditur bashkia. Në këto punime janë parashikuar kryesisht, sipas saj, ndërtimi i një dhome teknike pranë monumentit aktual të Skenderbeut e projektuar të ndërtohet në një thellësi rreth 9 m nga niveli i sheshit në të cilën do të instalohen rezervuaret e ujit teknologjik dhe atij për vaditje si dhe pompat dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e shatërvaneve të sheshit të ri. Gjithashtu parashikohet ndërtimi i dy galerive të nëndheshme në të cilat do të perdoren për instalimin e të gjitha kabllove dhe tubacioneve që parashikohet të përshkojne sheshin në të dy drejtimet kryesore Veri-Jug dhe Lindje Perëndim. Galeria e parë do fillojë të ndërtohet në Bulevardin Zogu i pranë Veve Center, do kalojë përpara Pallatit të kulturës, përpara ndërtesës së Bashkis dhe do të përfundojë në kryqëzimin e Bulevardit Dëshmorët e Kombit me rrugën Myslym Shyri. Galeria e dytë do fillojë të ndërtohet në rrugën e Kavajës përpara ndërtesës së Bankës së Shqipërisë, do përshkojë sheshin e sotëm përpara monumentit të Skënderbeut dhe do përfundojë në kryqëzimin e rrugës Luigj Gurakuqi me Unazën e Vogël. Në të dyja këto nënobjekte parashikohet të punohet paralelisht. bën të ditur bashkia. Sipas bashkisë, parashikohet edhe ndërtimi i disa kolektoreve për ujerat e zeza dhe të bardha që do të sistemojnë të gjitha derdhjet e institucioneve që jane të vendosura në periferinë e sheshit Skënderbej si dhe ujërat e të gjitha rrugëve që lidhen me sheshin, si edhe punimet për nënshtresat e sheshit të ri si dhe bazamentet e shatërvaneve dhe kanalizimet e tyre.