E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditët e fundit të Agim Qirjaqit

I heshtur, një trup i pajetë që endej rrotull Teatrit Kombëtar për aq sa mundi, aktorit iu privua ngushëllimi i vetëm: fjala. Ahmet Pasha, një nga miqtë e kolegët e vjetër që i qëndroi pranë deri në momentet e fundit, tregon përjetimet, pamundësitë dhe guximin me të cilin Qirjaqi pranoi sëmundjen e tij

Ndërsa në hollin e Teatrit Kombëtar pritej të vinte trupi i pajetë i Agim Qirjaqit, lart, në dhomën e arkivit mbushur plot materiale, qëndron dosja e hapur e aktorit. Në dhomën ku pjerrtas hyjnë rrezet e diellit, një fotografi e tij e vënë në pjesën ballore të një rafti duket se kërkon të tërheqë vëmendjen. Të vendosura njëra pas tjetrës, brendia e asaj dosjeje të fton në një udhëtim karriere përmes imazhesh. Aty gjen fragmente të jetës së Agim Qirjaqit ndër vite. Nën zë, në vështrime apo edhe në tundjet herë të pavetëdijshme të kokës, kolegët e tij teksa hyjnë apo dalin në hollin e homazheve flasin për Agim Qirjaqin aktor dhe njeri. Të gjithë e pranojnë me dhimbje lëngatën që iu desh të kalonte. Disa e shihnin veçse në shëtitjet e tij të ngathëta drejt Teatrit Kombëtar, në heshtje, pa shkëmbyer fjalë me ndokënd, e të tjerë, miqtë e tij më të afërt e panë deri në grahmat e fundit të jetës. Agim Qirjaqi e dinte tashmë fatin e tij. Pavarësisht kësaj, teatri ishte sërish shtëpia e tij. Në fillimet e sëmundjes e shihje çdo ditë aty rrotull. Ngjante sikur donte të fiksonte në mënyrë të pashlyeshme çdo gjë, ndonëse kujtesa e refuzonte fort. Prej shfaqjes së fundit në skenë, në pjesën “Pjata prej druri” të regjisorit Gëzim Kame, ditët, muajt dhe vitet në vazhdim shihje një Agim Qirjaqi të tretur. Aktori Ahmet Pasha është një nga miqtë e tij të hershëm që i qëndroi në krah deri në fund. Vendosur përballë arkivolit mbuluar me kurora lulesh, duart dhe buzët e tij janë përfshirë në një ritëm të pavetëdijshëm dridhjesh. “është një moment shumë i trishtuar për të gjithë ne kolegët e tij. Nuk kemi humbur një koleg të thjeshtë, kemi humbur një shok, një mik të vjetër. Unë personalisht kam rreth 36-37 vite që punoj e kemi ndenjur bashkë, kemi ndarë të mirat e të këqijat me njëri-tjetrin. Vështirë të gjesh edhe fjalët. Sëmundja e tij qe mjaft e rëndë. Ne kemi bërë maksimumin t’i qëndrojmë pranë për ta ndihmuar, në këtë rast veçse moralisht se nuk kishim ç’të bënim tjetër. U përpoqëm që problemin ta çojmë deri në qeveri, pati sensibilizim dhe një dëshirë për ta çuar jashtë shtetit, por pasi u konstatua se sëmundja e tij ishte e pashërueshme dhe jetëgjatësia do të ishte e shkurtër, nuk u pa aq e arsyeshme të shtrohej në një spital jashtë vendit. U kurua me maksimumin e korrektesës nga të gjithë ata që i shërbyen, qoftë në spital dhe atje ku ishte së fundmi në një azil-spital. Fati i tij qe që ai të largohej, ne të na krijohej boshllëku, mungesa e një kolegu, e një miku, e një shoku, e një artisti të madh të teatrit dhe të filmit. Shansi i njerëzve të skenës është që largohen fizikisht, por mbeten veprat e tyre. Agimi ka mjaft gjëra që i kanë mbetur dhe do t’i mbesin për një kohë shumë, shumë të gjatë”, thotë Pasha, i prekur thellë nga largimi i mikut të tij. Ai ishte bashkë me të edhe në rolin e fundit. Në “Pjata prej druri”, interpretuan bashkë edhe me aktorin e ndjerë, Sulejman Pitarka. Pasha tregon se Qirjaqi i përjetoi me shqetësim simptomat e para të sëmundjes. Alzhaimer shoqëruar me parkinson, e më pas me një sërë sëmundjesh të tjera që erdhën si rrjedhojë, filloi t’i dobësojë sistemin nervor dhe artikulimin. T’i ndërprisje fjalën do të thoshte t’i mohoje gjithçka Agim Qirjaqit. T’i mohoje dëshirën për ta ndarë me të tjerë dhimbjen, për të shprehur dëshirat e fundit apo edhe për të realizuar të fundmet dëshira. Një aktor karriere në pjekurinë artistike nuk do të mund të ngjitej më në skenë. “Që në fillim pati probleme me artikulimin. Menjëherë pas “Pjatës prej druri” iu ofrua një tjetër rol si një realizim privat. Shkoi në takimin e parë, bëri tentativën për të artikuluar dhe u tërhoq. Ishte i vetëdijshëm që nuk mund ta çonte deri në fund”, thotë Pasha. Fati i Qirjaqit qe i trishtë. Veçse la në kujtesë të shumë miqve një trup që lëvizte rrugëve thuajse i pajetë, nuk mund të ndante me ta as përjetimet. Nuk mund t’i shprehte as dëshirat e fundit. “Kishte kohë që për shkak të sëmundjes nuk fliste. Shtatë apo tetë muajt e fundit nuk artikulonte më. Merreshim vesh me gjeste, sepse ishte lloji i sëmundjes që e goditi në sistemin nervor dhe i bllokoi çdolloj marrëdhënieje përmes fjalës me ata që donte të fliste e të shprehej. Megjithatë, unë bashkë me shokët e tjerë që i kemi qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë, pamë tek ai një njeri me shumë kurajë, një njeri që nuk u ankua, që e mori me shumë burrëri sëmundjen dhe ashtu u largua”, tregon Ahmet Pasha. I suksesshëm në profesion, Agim Qirjaqi nuk e pati një fat të tillë në familje. I martuar dhe i divorcuar, vajza e vetme jetonte jashtë shtetit. Këto kohë ajo i është gjetur pranë, ndonëse jo në çastet e fundit. Agim Qirjaqi i mbylli sytë në një qendër përkujdesjeje, një azil-spital. Terapitë intensive nuk e lejuan të kthehej as në shtëpinë e tij. Kjo është drama e fundit e jetës së tij, në të cilën ai pranoi heshtur të luante rolin që fati i ofroi.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›