Nuk e dua Italinë

Jose Mourinho ka bërë të ditur se nuk i pëlqen futbolli italian, por do të respektojë kontratën e tij me Interin. Ish-menaxheri i Chelseas ka pasur probleme të ndryshme pas ardhjes në Serie A, ndërsa edhe marrëdhëniet e tij me mediat deri më tani kanë qenë larg prej raportit të ngrohtë.
“Nuk do të thoja se dashuria mes meje dhe Italisë ka marrë fund, thjesht sepse nuk ka ekzistuar kurrë”, tha Mourinho gjatë një interviste me të përditshmen portugeze, Il Publico.
“Por, prapë më pëlqen të punoj këtu, më pëlqejnë gjëra të ndryshme si dhe Nerazzurrët. Me Interin kam kontratë deri në vitin 2012 dhe synoj ta respektoj këtë marrëveshje. Ekziston dëmshpërblimi ta përfundojmë më herët nga ana ime dhe e tyre, por nuk dua të nënshkruaj kontrata sikur në të kaluarën, kjo marrëveshje është e sinqertë mes njerëzve të sinqertë”, shtoi Mourinho,
Ai përveç raportit të ftohtë me mediat italiane, trajnerët dhe zyrtarët e klubeve rivale në Itali ka pasur probleme edhe me gjyqtarët, të cilët e kanë përjashtuar dy herë me karton të kuq gjatë këtij sezoni.
“Nganjëherë i shikoj kolegët e mi dhe shoh se si gjyqtarët i lejojnë ata të shfaqin sjelljet e tyre për të cilat unë me siguri se do të përjashtohesha. Jeta nuk është e lehtë për mua këtu”, vazhdoi ai.
Fillimi i vitit të ardhshëm do të jetë i veçantë për Mourinhon dhe ekipin e tij, pasi do të takohen me Chelsean në Ligën e Kampionëve. Mourinho ishte menaxher i Chelseas nga viti 2001-2004.
“Para përballjes në Ligën e Kampionëve do të kthehem në Stamford Bridge për ta shikuar një ndeshje. Do të mundohem të jem i ftohtë me ta, por aventura ime atje ishte fantastike dhe nuk do të mund të harroj se luaj kundër shokëve të mi”, theksoi ai.
Mourinho në fund përmendi mesfushorin Wesley Sneijder, si njërin prej futbollistëve kryesorë të ekipit këtë sezon.
“Jemi të varur nga Wesley Sneijder, pa dyshim. Ai ka stil që është i veçantë për ekipin tonë dhe në mungesë të tij jemi ekip tjetër. Çuditshëm se si një futbollist është vendimtar për ne, ndërsa ishte rezervist në Real Madrid”, përfundoi ai.