E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk është momenti për tu krenuar askush me këtë krim

Flamur Noka, ministri i Brendshëm, ishte në banesën e Fatbardha Tafës, një ditë pasi policia kapi një të dyshuar për krimin e rëndë që tronditi jo vetëm Tiranën. Nga shtëpia e Tafës, Noka foli me tone të ashpra kundër prokurorisë dhe gjykatave. Ndërkohë në Tiranë, familja e të arrestuarit për këtë krim, Aldo Hoxhës, deklaronte se i biri nuk është fajtor pasi atë ditë që ndodhi krimi, ishte me ta duke u përgatitur për një dasëm. Presioni për arrestimin për këtë ngjarje ka qenë shumë i madh dhe ekziston mundësia që policia edhe të jetë nxituar, siç ndodhi me rastin e një personi nga Kosova, që u arrestua gabimisht për vrasjen e një argjendari, duke i shkatërruar jetën. Që të kuptohemi, kjo nuk do thotë se Aldo Hoxha nuk e ka bërë krimin. Po ashtu dihet shumë mirë në çnivele të mjerueshme është drejtësia në Shqipëri. Vetë kryeprokurorja Ina Rama foli për një korporatë, një bashkëpunim kriminal mes prokurorëve dhe gjykatësve. Por Noka nuk duhet të krenohet që po arreston një kriminel aspak të sofistikuar, nga ata që bëjnë krimin më të rëndomtë, ndërkohë që krimet e pazbardhura nga policia shqiptare janë ulëritëse. Nuk është koha për tu krenuar askush me këtë krim. E as për të fjetur të qetë me këtë situatë krimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›