Komplot kundër Gordonit

Gordon Braun mund të përballet me një komplot, pasi një grup deputetësh brenda radhëve të laburistëve po përpiqet ta heqë atë nga posti i kryeministrit të Britanisë së Madhe. Lajmi u publikua dje nga e përditshmja “Sunday Telegraph”, sipas së cilës laburistët rebelë, mes të cilëve dhe ish-ministra, po planifikojnë një puç kundër kryeministrit nga brenda kabinetit. Ata pretendojnë se gati 45 deputetë janë të përgatitur të nënshkruajnë kundër Braun, një gjë e cila do ta vinte kryeministrin nën presion të madh përpara konferencës së përvitshme të partisë, e cila nis këtë të shtunë në Mançester. Por, megjithatë, numri i deputetëve është më i ulët se 71-shi i nevojshëm për të detyruar një rizgjedhje. Kundërshtarë të zjarrtë të Braunit thanë se qëllimi i tyre është që të provokojnë një minoritet substancial ministrash të kabinetit, të paktën 10 të tillë, që do t’i thonë kryeministrit se “loja për të ka mbaruar”. Taktikat e tyre dolën në pah, ndërsa revolta kundër Gordon Braun po bëhet gjithnjë e më e madhe, ku 8 deputetë kanë bërë publikisht thirrje për një rizgjedhje të lidershipit të laburistëve. Por drejtuesit e partisë iu përgjigjën shpejt “sulmit” të rebelëve, duke ndëshkuar një prej tyre. Deputetes Joan Ryan iu hoq roli i saj si e dërguar e qeverisë në Qipro dhe posti i zëvendëskryetares. Rei Kollins, sekretari i përgjithshëm i laburistëve, tha se nuk do t’iu shpërndajë anëtarëve të partisë letrat e nominimit, që nevojiten për një sfidë ndaj lidershipit, pasi konventa e partisë nuk e lejon një gjë të tillë. Ata duhet të kërkojnë vetë dokumentet në fjalë individualisht. Deri tani 9 prej tyre i kanë kërkuar, 4 prej të cilëve e kanë pranuar publikisht se e kanë bërë një gjë të tillë. Sipas “Sunday Telegraph”, dy prej deputetëve që konsiderohen si “mendja” e komplotit Jim Dowd dhe Stringer, janë mes grupit të 9-es. Gazeta ka zbuluar se pjesa më e madhe e grupit janë ish-mbështetës të Toni Bler, kryeministrit të mëparshëm britanik. “Mendoj se duhet të kemi një zgjedhje të lidershipit, që të nxisim një debat të thellë”, - ka thënë Ryan, ish-ministrja e Brendshme. Sipas saj, një numër i madh deputetësh laburistë janë dakord me të. Ndërsa një ish-ministre, e cila nuk pranoi të identifikohej, u shpreh se ka një grup brenda kabinetit të ministrave që po planifikon një lëvizje, por grupi është ende i vogël, më pak se 10 vetë. Ndërkohë, një tjetër lajm i keq mbërriti dje për kryeministrin britanik. Pavarësisht zgjedhjes së kandidatit të tij favorit, Iain Gray, në postin e liderit skocez të laburistëve, një sondazh kombëtar i opinionit publik tregoi se laburistët ndodhen 19 pikë poshtë.