Patozi: Ska të pakënaqur

Në Partinë Demokratike nuk ka kurrfarë pakënaqësie me hapat që po ndërmerren për rikthimin e disa figurave që kanë qenë pjesë e strukturave të saj në drejtim apo në anëtarësi. Në Partinë Demokratike garantojnë sakaq se rikthimi edhe i atyre që kanë ikur me mospajtime të thella për mënyrën e drejtimit apo qëndrimet politike të saj, është i mirëseardhur.
Kreu i grupit të deputetëve demokratë, Astrit Patozi, mohon që në radhët e partisë së tij të ketë pakënaqësi për rikthimin e figurave të hershme. Patozi mohon gjithashtu që rikthimi i disa figurave të hershme të ketë ngjallur reagimeve negative mes radhëve të Partisë Demokratike. Sipas tij, Partia Demokratike ka qenë gjithnjë një partie e hapur dhe bujare, për të pranuar rikthimet, por edhe afrimet e figurave të reja. “Partia Demokratike është një shtëpi e madhe, ku ka hyrje dhe dalje, si çdo shtëpi e madhe. Kjo është një histori që ka nisur dhe do të vazhdojë sa kohë që Partia Demokratike do të jetë. Kjo nuk besoj se është e vërtetë. Është thjesht një sajesë mediatike. Partia Demokratike është parti bujare, parti e hapur dhe kështu ka qenë gjithmonë”, thotë Patozi, duke iu referuar diskutimeve për rikthimet e disa figurave, si Genc Pollos, Tritan Shehut apo edhe Neritan Cekës. Ndërkohë, i pyetur nëse do të kemi ndonjë rikthim të modelit të Komitetit të Orientimit të Politikave (KOP-i), si në vitin 2005, për të afruar figura të reja në PD, Patozi thotë se është ende herët për të diskutuar për modalitete të tilla, duke qenë se kjo çështje do të diskutohet edhe në forumet e Partisë Demokratike. “Jemi shumë shpejt për këto modalitete. E para, sepse çështja e shkrirjes, çështja e federatës apo çështja e krijimit të bllokut politik të së djathtës, ende nuk është kristalizuar. Në çastin që kjo do të kristalizohet, sigurisht që do të flitet edhe për modelitete”, thotë Patozi. Ndërkohë, duke folur për strategjinë e Partisë Demokratike, për imazhin e ri që mund të sjellë PD-ja për fushatën elektorale të vitit 2009, Patozi thotë me bindje se Partia Demokratike mund t’i fitojë zgjedhjet edhe me këtë imazh që ka aktualisht. Megjithatë, ai pohon se vetë Partia Demokratike, por edhe aleatët e saj do të përshtaten me sistemin e ri elektoral, në mënyrë që e djathta të dalë më e sigurt në zgjedhje. “Partia Demokratike i fiton zgjedhjet edhe kështu siç është, por sigurisht që edhe veten, edhe bashkëpunimin me aleatët, do t’ia përshtatë sistemit të ri që fitorja të jetë më e sigurt”, thotë Patozi. Ndërkohë, deri tashmë dy figurat kryesore të Partisë Demokrate Reformatore, Tritan Shehu dhe Genc Pollo, kanë shprehur vullnetin e tyre për të shkrirë strukturat e partisë me Partinë Demokratike, duke u rikthyer edhe ata vetë pas 9 vitesh në këtë parti. Ndërkohë, edhe Neritan Ceka i Aleancës Demokratike duket se është afruar kohët e fundit me Partinë Demokratike, duke mos përjashtuar një bashkëpunim të mëvonshëm mes tyre.