Korrupsioni njollë e zezë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu kundërpërgjigj dje analizës së punës 7-mujore të qeverisë, që u mbajt nga kryeministri Sali Berisha pak ditë më parë. Në deklaratën e djeshme, kreu i selisë rozë akuzoi kryeministrin Berisha se ka gënjyer shqiptarët për të vërtetën e arritjeve të qeverisë. Sipas tij, shifrat e deklaruar nga kreu i qeverisë nuk korrespondojnë me raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili tregon regres në zhvillimin e vendit tonë. Shifrat e raportit, sipas Ramës, dëshmojnë qartë se vendi ynë renditet si një ndër vendet më të korruptuar në botë. “Shifrat konfirmojnë se korrupsioni është jo vetëm njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje, por se treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundmi në Bashkimin Evropian”, tha Rama. Ai shtoi se sipas raportit, vendi ynë është zhytur edhe më thellë sesa Kazakistani, Azerbaxhani, Moldavia, Bjellorusia e të tjera vende thellësisht të korruptuara, të cilat më parë renditeshin zakonisht nën vendin tonë. Kryetari i PS-së tha gjithashtu se raporti është shqetësues, sepse në të konfirmohet edhe shqetësimi i opozitës për rrezikun e një uljeje të mëtejshme të rritjes ekonomike, që do të sillte edhe më shumë papunësi e varfëri në vitet në vazhdim. Duke analizuar më tej, Rama kritikoi qeverinë edhe për dështimin e reformës në sektorin energjetik. Sipas Ramës, përkeqësimi i situatës së reformave kryesore në vend është një kosto vonese për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian. “Mjafton shembulli i rëndë për eksportet, të cilat për periudhën 2005-2007 arritën në rreth 24.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në vendet me të ardhura të ulëta në të njëjtën periudhë ato zënë rreth 33.2 për qind, ndërsa në vendet me të ardhura mesatare rreth 45.7 për qind të PBB-së. Pra, afro dyfishin e Shqipërisë. Ndërsa po të kihet parasysh se ky tregues për vendet e pranuara rishtas në Bashkimin Evropian është rreth 61 për qind apo dy herë e gjysmë më i lartë, kuptohet edhe më qartë se çfarë kostoje vonesë në integrimin e plotë në BE na duhet të gjithëve t'i paguajmë paaftësisë proverbiale të Sali Berishës e të kësaj qeverie”, tha Rama. Ndërkohë, Rama shprehu shqetësimin edhe për shifrat e tjera të raportit, në të cilat rezultonte se vendi ynë ka përkeqësim të dukshëm në fushat në të cilat kryeministri deklaron se ka arritur rezultate të shkëlqyera. Më pas Rama tha se kjo është e vërteta e qeverisjes që prodhoi slogani “Koha për ndryshim” dhe e kryeministrit që përdor përditë e më shumë propagandën e së shkuarës, në pamundësi për të hapur rrugën e së ardhmes. “Këtë rrugë do ta hapim ne, socialistët e progresistët shqiptarë, me bashkimin e ri të të gjithë atyre që duan një Shqipëri normale, përtej kufijve të vjetër të së majtës e të djathtës, për vete e për fëmijët e tyre”, premtoi Rama.