Nuk jetohet nga modelimi
Njëra prej modeleve që kohëve të fundit nuk ka qenë mjaft aktive, Ema Uka, tregon për Express Rozë për përvojën e saj dhe pjesëmarrjen në sfilatën “Kromozomet” të stilistes Krenare Rugova, që këtyre ditëve u zhvillua në Prishtinë.
Si ishte ndjenja të paraqitesh para një publiku jo të paktë në numër në sfilatën “Kromozomet”?
Ndjenja është tejet e veçantë saqë sekondat e parë të defilimit nuk mund të përshkruhen as me fjalë. Kuptohet që edhe numri i publikut e ka bërë të vetën duke shtuar emocione edhe më të shumta.
Si e vlerëson bashkëpunimin me Krenare Rugovën?
Bashkëpunimi me Krenaren ka qenë shumë korrekt, Krenarja është shumë e zellshme në punën që e bën, andaj bashkëpunimi me të ka qenë fare i lehtë. Me pak fjalë është kënaqësi të bashkëpunosh me të.
Është kjo hera e parë që bashkëpunoni me të?
Po është hera e parë, por jo edhe e fundit.
Me cilat agjenci tjera mode keni bashkëpunuar?
Kam pasur bashkëpunime të shumta dhe paraqitje në sfilata të ndryshme nëpër Kosovë.
Keni pasur bashkëpunim me ndonjë agjenci të huaj?
Kam pasur disa bashkëpunime me agjencione të huaj,a por vlen të ceket edhe bashkëpunimi me Fadil Berishën për Ford Supermodel. Ndërsa shumë shpejt të priten bashkëpunime me agjencione të huaja.
Sa vlerësohet profesioni i modeles në Kosovë?
Nuk mund të them që nuk vlerësohet, por as që vlerësohet aq sa duhet. Nuk më pëlqen fakti që këto ditë modele mund të quhen edhe ato vajza të cilat nuk i plotësojnë kriteret e duhura për një modele. Do ishte mirë që modelet të cilat me të vërtetë i plotësojnë kriteret të merren parasysh sa më tepër.
A mund të jetohet me këtë profesion këtu?
Jo, për arsye se kjo fushë nuk është e zhvilluar aq sa duhet këtu në Kosovë. Është e pamundur të jetohet apo të fitohet aq sa për të jetuar nga ky profesion.
Zbatoni dietë strikte, nëse po, çfarë?
Jo, nuk zbatoj dhe nuk mendoj se duhet të zbatohet dieta për perfeksionimin e linjave trupore si modele. Preferoj më tepër sa më shumë ushtrime dhe ushqim të shëndetshëm.