“Tirana Dog show 2011”, ekspozita me 150 qen

“Tirana Dog show 2011”, kjo ishte ekspozita e organizuar në Parkun Rinia në kryeqytet pasditen e së djelës. Larg zhurmës së fushatës, në gjelbërimin e Parkut Rinia, rreth 150 qen të racave të ndryshme kanë pozuar përpara qindra qytetarëve kureshtarë. Kjo është ekspozita e parë e këtij lloji në Shqipëri dhe i shërben prezantimit të racave të ndryshme të qenve që rriten në Shqipëri e Kosovë. Ky aktivitet u organizua nga një bashkëpunim midis shoqatës kinologjike shqiptare dhe asaj kosovare. Në intervistën e tij dhënë për “Ora News”, organizatori i këtij eventi, Olsi Qazimi u shpreh se ky event i shërben reklamimit të racave të ndryshme por edhe përfshirjes së shoqatës shqiptare në konkurset ndërkombëtare të kinologjisë.
Parada e racave të ndryshme të qenve u shoqërua edhe në disa vlerësime me nota. Këto vlerësime u përqendruan te karakteristikat e ndryshme të racave që nga karakteristikat fizike po ashtu edhe ato estetike.