E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk jeton më Dennis Hopper, një simbol hippy

Aktori vdiq në moshën 74-vjeçare. Ditët e fundit ishin të tmerrshme. Gjatë karrierës 50-vjeçare u emërua dy herë për çmimin Oscar. Bëri jetë ekstravagante dhe u kthye në një personazh simbol i kundërkulturës amerikane.


Dennis Hopper vdiq në shtëpinë e tij në Kaliforni, në moshën 74-vjeçare. Vuante prej vitesh nga tumori në prostatë dhe ditët e tij të fundit thuhet se ishin vërtet të vështira: peshonte 45 kg, dhe nuk ishte në gjendje t'i nënshtrohej kemioterapisë.


Për këtë arsye nuk mori pjesë as në gjyqin e divorcit nga Viktoria e cila e pengonte të shihte të bijën 6-vjeçare, Galen.
Megjithë këtë gjendje, ai nuk e braktisi homazhin që iu bë para pak kohësh në Hollivud: prezantimi i yllit me emrin e tij në Walk of Fame.


I lindur në Dodge City, Kansas, më 17 maj 1936, Hopper pati karrierë të gjatë kinematografike, afro pesëdhjetë vjeçare - 200 filma në kinema dhe TV - qysh nga koha kur interpretoi pranë James Dean në filmat "Rini e djegur" dhe "Gjiganti".


Por filmi me të cilin identifikohet qartë emri i tij është "Easy Rider" (1969), i cilësuar ndër më të rëndësishmit në historinë e kinemasë amerikane. Ai është regjisor dhe aktor përkrah Peter Fondas dhe Jack Nicholson-it, atëhere i panjohur.


"Easy Rider", një manifest i epokës, falë dy protagonistëve të tij u bë simbol i antikonformizmit dhe i kulturës "kundër" të Amerikës së viteve shtatëdhjetë, kurse vetë Hopper u kthye në një ikonë rebele të Hollivudit.


Dy personazhet e tij kryesorë në Harley Davidson, Wyatt (Fonda) dhe Billy (Hopper), bënë popullor mitin e jetës on the road, dhe të dashurisë së lirë. I xhiruar me një buxhet shumë të ulët, "Easy Rider" prezanton në thellësi një Amerikë nëpërmjet botës së hipive, në një kohë që vendi ndodhej në një krizë identiteti i zhytur në telashet e luftës në Vietnam.


Peter Fonda, kur mësoi lajmin për vdekjen e Hpperit u shpreh: "Denisi më prezantoi me botën e Artit Pop dhe filmat "e humbur". Ne udhëtuam në rrugët kryesore të Amerikës dhe ndryshuam mënyrën se si Hollivudi i bënte filmat. Pasioni dhe miqësia e tij për mua ishin bekim."


Ndër interpretimet më të rëndësishme të Hopperit janë në filmat "Apocalypse Noë" të Francis Ford Coppola - aty ai luan personazhin e fotografit të marrë, përkrah Marlon Brandos - dhe në "Blue Velvet" të David Lynch. Nga bashkëpunimi në këtë film, aktorja Isabella Rossellini, kujtoi dje se ç'njeri i ëmbël ishte Hopper. "kur e takova Denisin për herë të parë gjatë xhirimit të "Blue Velvet", ai sapo kishte dalë nga rehabilitimi.


Kisha frikë prej tij, por Denisi ishte pafundësisht i ëmbël, i dhembshur dhe i arsyeshëm. Kishte shkuar deri në ferr dhe ishte kthyer me një mençuri fisnike. Do më duhet pak kohë për ta kupuar dhe pranuar që ai nuk është më mes nesh."


Si regjisor Dennis Hopper realizon edhe filmat "Out of the Blue", "Colors", "The Hot Spot". Është emëruar dy herë për çmimin Oscar, për skanerin e "Easy Rider" dhe për interpretimin e një trajneri basketbolli të alkoolizuar në filmin dramatik "Hoosiers" (1986). Aktori Gene Hackman me të cilin Hopper ka interpretuar tek ky film, kujtoi dje: "Denini ishte një ikonoklast, një artist i vërtetë dhe unë gjithnjë kam për ta ruajtur si thesar kujtimin e punës me të. Do të më marrë malli."


Dennis Hopper-in e kujtojnë si një individ jashtë skemave, ca si shumë madje. Jeta e tij po ashtu. Ishte në gjendje të krijonte miqësi me njerëz të ndryshëm që i përkisnin artit, spektaklit, politikës. Miq të tij ishin James Dean dhe Andy Warhol, Roy Lichtenstein dhe Martin Luther King, Marlon Brando dhe John Wayne, Miles Davis dhe shumë emra të tjerë legjendarë.


Jetonte prej vitesh në Venice, në Kaliforni. Emri i tij ishte futur në listën e 100 koleksionistëve më të rëndësishëm të artit modern. Së fundi, Kinemateka Franceze e Parisit i kishte kushtuar një retrospektivë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›