Një javë pa vajzën 6-vjeçare në shtëpi
Nga Zapodi i Kukësit, në fshatin ku nuk mbahet mend të jetë vjedhur as një bagëti. Gjyshi i vajzës së humbur:
"Dal nëpër fshat me shpresë se dikush do më sjellë vajzën. Rrëmbyesin do ta bëja mik shtëpie vetëm të më kthente vajzën".
Fëmijët dhe të rinjtë kanë frikë të shkojnë me bagëti pas ngjarjes së një jave më parë ku është zhdukur vajza 6-vjeçare Bleona Mata
KUKËS - Fshati Zapod në rrethin e Kukësit bën pjesë në fshatrat e Malësisë së Gores në pjesën e Shqipërisë dhe shtrihet në lartësitë mbi 1100 metër mbi nivelin e detit, në lindje të qytetit të Kukësit, kufi me Kosovën.
Ky fshat kufizohet me fshatrat gorane të komunës së Dragashit ku në lindje ka fshatin Kërstec, ndërkohë që përballë është fshati Orqushë. Lumi i Orgjostit i cili buron nga malet e Sharrit dhe që ndan mespërmes fshatin i shton bukurinë, por edhe prania e dy hidrocentraleve të vegjël të këtij fshati megjithatë nuk ka mundur ta heqë atë nga harta e një ndër zonave më të varfra në Shqipëri.
Por krahas varfërisë, fshati Zapod këto ditë është bërë i njohur nga media shqiptare, por edhe më gjerë, pasi para më shumë se një jave u zhduk pa asnjë gjurmë një vajzë 6-vjeçare, Bleona Mata, vajza e madhe e Zamir Matës.
Pjerrësia e madhe e terrenit ku është vendosur fshati kushtëzon udhëtimin vetëm me mjet tip fuoristrade.
Rrugës kryqëzohemi edhe me dy automjete tip "fuoristrada", njëra prej të cilave e Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa tjetra e policisë të cilat po ktheheshin nga Zapodi. Sapo hyjmë në fshat, para na dalin fëmijë që kullosin bagëtinë, por që sapo shikojnë automjetin ikin me vrap të tmerruar pas asaj që ka ndodhur pasditen e 22 majit.
Ndalojmë në qendër të fshatit për të pyetur për shtëpinë e vajzës së zhdukur, ku qëllojmë me fat pasi personi ishte kushëriri i parë i babait të vajzës. Shtëpia dykatëshe e Zenel Matës është vetëm 100 metra larg së ashtuquajturës qendër e fshatit.
Profesioni na shtyn që edhe në këto raste të bëjmë foto. Një grua e moshuar diçka thotë në gjuhën "nashke", një lloj gjuhe e vjetër sllave që flitet nga komuniteti goran. Pyesim shoqëruesin se çfarë thoshte gruaja e moshuar. "Fotografoni kot. A e ktheni dot vajzën..., për një pare... ", na përkthen shoqëruesi fjalët e gruas të artikuluara me ashpërsi.
Në shtëpinë e Zenel Matës, gjyshit të Bleonës, ka pllakosur heshtja. Asnjë nga banorët e kësaj shtëpie nuk është jashtë, por të gjithë janë grumbulluar në një dhomë të ngjitur në anën e djathtë të shtëpisë së tyre dykatëshe.
Pas zhdukjes së 6-vjeçares kanë ardhur nga rrethinat e Tiranës ku banonin edhe dy vajzat e martuara të Zenelit dhe djali tjetër Gramozi. Në oborr është e vendosur një tavolinë dhe një stol i gjatë ku familja ka pritur këto ditë njerëzit e shumtë që e kanë vizituar.
Pasi njoftohet nga shoqëruesi, i zoti i shtëpisë Zenel Mata, gjyshi i vajzës së zhdukur, me profesion mësues na fton të hyjmë brenda, ku siç ndodh rëndom në kësi rastesh shërbehet edhe kafeja.
I tronditur thellë, por edhe i habitur për atë që i kishte ndodhur mbesës 6-vjeçare, Zeneli fillon e tregon çastet e vështira të pasdites së 22 majit ku vajza e kishte njoftuar për humbjen e fëmijës 6-vjeçar. "Shkova menjëherë në vendin e ngjarjes me shpresë se vajzën e kishte zënë diku gjumi.
Filluam të thërrasim oj Bleonë, oj Bleonë.... por asnjë pergjigje. Për 20 minuta u ngrit në këmbë i gjithë fshati dhe pas gjysmë ore e gjithë zona, rreth 400 burra e gra, filluam kërkimet. Në orën 23:00 pas njoftimit erdhi edhe policia me qen, por asnjë rezultat. Kjo ka vazhduar për shtatë ditë rresht ku nuk kemi gjetur asnjë lloj shenje.
Dje kemi ndërprerë kërkimet intensive, por ende kërkimet vazhdojnë", thotë i tronditur gjyshi i vajzës së zhdukur.
Një javë pas zhdukjes së vajzës, në shtëpinë e Zenel Matës kishte ardhur një person, banor i këtij fshati i cili i kishte shpjeguar që ditën që ka humbur vajza kishte parë një automjet tip "fuoristradë" që ishte larguar me shpejtësi të madhe nga fshati Kosharisht në drejtim të Orçikles, ndërkohë që matanë lumit ishte një autoveturë me ngjyrë të bardhë dhe dy persona që vrojtonin.
Dëshmitarë nga fshati kanë pohuar se kanë dëgjuar edhe të qarat e një fëmije. Këto dëshmi i janë dhene edhe specialistëve të krimeve të rënda të ardhur nga Tirana për të hetuar për ngjarjen. Në kohën që bisedojmë një uturimë helikopteri tërheq vëmendjen.
Helikopteri i KFOR-it ka dy ditë që patrullon në kufirin Shqipëri-Kosovë në kërkim të vajzës së humbur, por edhe pas kërkimesh nga ajri nuk është bërë e mundur gjetja e asnjë gjurme. "Kanë dy ditë që patrullojnë, por janë me shumë vonesë", thotë xhaxhai i vajzës, Gramoz Mata.
Ai thotë se kufiri me Kosovën është shumë i hapur dhe shpreh frikën se mos vajza ndodhet atje (Kosovë) dhe mos e dëmtojnë. Më i heshturi nga pjesëtarët e familjes është babai i 6-vjeçares, Zamiri. Sapo e kanë njoftuar për humbjen e vajzës ai është kthyer urgjent nga Tetova ku punonte si emigrant në ndërtim. "Që nga viti 1997 punoj në ndërtim sa në Tetovë, Kosovë e Tiranë", thotë Zamiri. Ai dyshon se vajza është rrëmbyer për qëllime birësimi.
"Është i vetmi fëmijë që di të flasë e shkruajë shqip në këtë fshat, pasi fëmijët e tjerë e mësojnë gjuhën shqipe vetëm pasi hyjnë në klasë të parë. Prandaj dyshoj se është preferuar nga rrëmbyesit për ndonjë birësim të paligjshëm", -shprehet më tej Zamiri.
Ndërkohë, Gramozi ka incizuar disa vjersha të vajzës në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën italiane. "Ishte fëmijë i jashtëzakonshëm. Shihte në televizor të gjitha programet e fëmijëve. Ishte i vetmi fëmijë që dinte shqip përveç gjuhës "nashke" që e flasim në fshat. Madje vajza dinte pak edhe italisht", shton gjyshi i vajzës Zeneli, i cili e kishte mbajtur afër pasi ishte dhe mësues në profesion.
Në kohën që bisedojmë, një fëmijë i vogël hyn brenda në dhomë dhe ulet në prehrin e Zenelit. Është Armendi, vëllai i vajzës së zhdukur, që është vetëm tre vjeç. "Kemi shumë probleme me djalin e vogël i cili po kërkon motrën", thotë tashmë me lot në sy Zeneli.
Gjyshi i vajzës së zhdukur që kishte marrë përsipër të komunikonte me të gjithë vizitorët dhe mediat, thotë se ngjarja është sa tragjike dhe e pabesueshme. "Në fshatin tonë ndër breza askush nuk mban mend që të ketë humbë ndonjë qengj, dhe jo më një fëmijë",- thotë Zeneli. Ai ka hedhur poshtë çdo lloj mundësi që vajza të jetë rrëmbyer nga kafshët e egra.
"Nuk ka ba vaki që ujku apo ariu të sulmojë njeriun në pranverë, aq më pak shqiponja, ku më e fuqishmja mban deri në tetë kilogram, ndërkohë që vajza është 20 kilogramë. Të gjitha këto janë legjenda dhe të pabesueshme, por edhe të vërtetuara pas kontrollit të imtë që i është bërë bjeshkës", thotë Zeneli.
Ndërkohë ai ka kërkuar që të mos spekulohet me varfërinë ku është thënë se vajza 6-vjeçare është dërguar me bagëti. "Vërtet jemi të varfër, ku 400 familje trajtohen me ndihmë ekonomike, por askush dhe asnjëherë nuk e ka çuar vajzën me bagëti. Vajza ka frekuentuar rregullisht arsimin parashkollor duke shkuar në kopsht", tregon Zeneli.
Ndërkohë krahas shqetësimit për zhdukjen e mbesës, ai thotë se fëmijët, por edhe të rinjtë sidomos vajzat nuk pranojnë të lëshojnë bagëtinë, pasi ndihen të frikësuar pas asaj që ndodhi me mbesën e tij.
Gjithsesi, ai dhe familja e tij nuk e kanë humbur shpresën se një ditë do ta gjejnë vajzën. "Të gjithë që vijnë në shtëpi për vizita më thonë se vajza është gjallë dhe kemi të bëjmë me një rrëmbim të fëmijës.
Dal nëpër fshat me shpresë se mos më sjellin vajzën. Ia kam lënë në dorë Zotit e shtetit",- shprehet gjyshi. Në fund të bisedës Zenel Mata shprehet se ai dhe familja e tij nuk kanë probleme me askënd historikisht. Përmes medias ai kërkon të lëshojnë një apel për rrëmbyesin e mbesës.
"Vetëm ma kthe vajzën. Mos të shkojë mendja se do kesh ndonjë problem. Nëse më kthen vajzën do të të kem mik shtëpie", është apeli i Zenel Matës për rrëmbyesin e mbesës së tij. Kthimi nga Zapodi për në Kukës është më i lehtë pasi e gjithë rruga është një dishezë.
Edhe gjatë kthimit syri të sheh gra e burra që mbledhin barin nëpër livadhe, ndërkohë që fëmijët me bagëti mbathin me vrap sapo shohin automjete të panjohura. Edhe gjatë kthimit kryqëzohemi me një makinë policie, e cila po çonte në fshat dëshmitarët e shumtë që i kishte thirru në Kukës për t'i marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, pa mundur të akuzojë asnjërin prej tyre.
Përfundon në pranga 30-vjeçari Luftar Jakupi. I tha babait të vajzës se e bija ndodhej në Maqedoni
Zhdukja e vajzës, arrestohet një person
Kukës - Përfundon në pranga Luftar Hasan Jakupi. 30-vjeçari nga fshati Lojme i komunës Zapod të rrethit të Kukësit por banues në Tiranë është arrestuar dje pasdite nga policia e Kukësit për "moskallëzim krimi". Burime të policisë shprehen se ditë më parë Jakupi i kishte pohuar Zamir Matës se vajza e tij ishte rrëmbyer dhe ndodhej në Maqedoni.
Thëniet e Luftar Jakupit Mata ia kishte raportuar edhe policisë kur është marrë në pyetje për humbjen e së bijës. Menjëherë pas marrjes së dëshmisë policia ka shoqëruar Jakupin dhe e ka pyetur për këtë deklaratë të tij, por ai ka mohuar gjithçka.
Gjatë ballafaqimit mes babait dhe Luftar Jakupit të dy kanë vijuar të këmbëngulin në deklaratat e tyre. Si rrjedhojë 30-vjeçari është ndaluar nën akuzën "moskallëzim krimi". Policia e Kukësit ka filluar hetimet për rrëmbim personi pesë ditë pas zhdukjes së vajzës 6-vjeçare Bleona Mata nga fshati Zapod i rrethit të Kukësit.