E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka një grusht stomakut

Festa e përvjetorit të Teatrit Kombëtar me sa duket do të rimerret disa herë gjatë vitit. Drejtuesve ua do puna të flasin për sfida dhe standarde, kur kritika dhe sugjerime që nuk ua vë kush veshin, vijnë nga njerëz të përfshirë në TK


Stefan Çapaliku i referohet Bertold Brehtit kur flet për rolin që duhet të ketë tek njerëzit në këtë moment teatri shqiptar. Po ta kish përmbushur misionin e grushtit në stomak, as Çapaliku dhe as të tjerë që tërhiqen nga festa e 65-vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar, nuk do të merreshin me urgjencat që paraqet i sëmuri.


Festa vazhdonte në skenë dhe sallë dhe pati gjëra që kaluan pa ua vënë njeri veshin. Mungesa e jo pak artistëve të mirë që kanë dhënë kontribut në kulturën e teatrit (fatkeqësisht e parë dhe e trajtuar si kulturë popullore dhe masive).


As marrëzive nuk ua fërshëlleu njeri: krahasohet me Denis Diderot-në një oportunist akademik i kritikës së teatrit. Ndonjë si Kiço Londo në këtë moment ngrihet nga poltroni e ikën, të tjerë u qeshin në vesh atyre që kanë në krah.


Festa ishte hapur me nderimin e himnit kombëtar dhe me një minutë heshtje për ata artistë që nuk janë. Kështu që solemniteti ia kish lënë vendin komedisë dhe ia kish shtruar rrugën karrocës së hazdisur të mbushur dëng me gjigantë, talenta, idealista, farkëtues të ndërgjegjes kombëtare, mësues të fjalës së bukur shqipe, siç u tha aty.


Festa e përvjetorit të Teatrit Kombëtar me sa duket do të rimerret disa herë gjatë vitit - një festival i dramës shqipe pritet të vendoset në kalendar sapo të miratohen fonde. Drejtuesve ua do puna të flasin për fitore, megjithatë është gjë e mirë kur problemet, kritikat dhe sugjerimet, paçka se nuk i merr kush në konsideratë, vijnë nga njerëz të përfshirë në mekanizmat e Teatrit Kombëtar.


Ka një përvojë afro dhjetë vjeçare me këtë Teatër Stefan Çapaliku, si dramaturg, fillimisht me "Utopos" e së fundi me "Allegretto Albania". Duke dëgjuar ç'thuhet për plakun në ditë feste, bën një raport ballafaques të dy momenteve bazë, të së shkuarës dhe të ardhmes së këtij institucioni.


Askujt nuk i vlen, thotë ai, një kujtesë e sheqerosur e historisë së teatrit. Një moment refleksioni, po, por mbi të gjitha të vlejë kjo festë "për të shtruar një platformë që ka lidhje me problematikën e sotme të teatrit dhe ku do shkojë teatri.


Me sa isha dëshmitar, këtu u realizua vetëm një ngjarje nostalgjike që natyrisht mund ta ketë vendin e vet, por besoj se ka ardhur koha - gati po kalon koha - kur sistemi teatror në përgjithësi dhe ky institucion duhet të pësojnë reforma të mëdha."


Shenjat e reflektimit të një Teatri Kombëtar, do dukeshin tek spektatori me të cilin flet. Kjo është një nevojë përmbushja e së cilës do të thotë shërimi i pikave të dobëta dhe arritja e disa standardeve normaliteti.


"Të reflektojë përmbi veten e vet, të jetë siç thotë Brehti, një grusht stomakut për spektatorin, në kuptimin e rikthimit të një pasqyre gjigante ku spektatori i sotëm të shikojë veten e vet. Dhe të dalë prej teatrit për të bërë tualetin e defekteve që ka vënë re pikërisht në teatër."
Për t'ia arritur kësaj Çapaliku mendon që teatri të sjellë dy realitete dramaturgjike.


Së pari realitetin shqiptar në kuptimin e të qenurit kontemporan, e trajtimit të temave të sotme me estetikën e sotme. Së dyti, prurja e një realiteti tjetër dramaturgjik nëpërmjet repertorit të huaj.


Autori sheh një mungesë vullneti të TK, një mungesë kurioziteti ndaj dramaturgjisë bashkëkohore, veçanërisht asaj të vendeve të Lindjes "të cilat kanë problematika të ngjashme me realitetin shqiptar. Kam parasysh dramaturgjinë e sotme ruse, polake, baltike që mendoj, janë avangarda të dramaturgjisë botërore. Kurioziteti për to është shumë i madh edhe në Perëndim."


Që këto të gjitha të jenë "tërheqëse" për vullnetin politik, duhet që teatri të kthehet e të vendoset në qendër të një debati. "Unë nuk e di nëse e ka vendin në rastin e festës apo në ndonjë rast tjetër", thotë Stefan Çapaliku, "por urgjentisht duhet të vendoset në qendër të një debati publik dhe përfundimisht të sanksionojë rrugën nëpër të cilën duhet të ecë. Nuk mund të jetë institucion nostalgjik teatri."


Për një ish drejtues të TK në dhjetëvjeçarin e fundit, Kiço Londo, 65-vjetori i themelimit të institucionit është padyshim festa më e madhe e gjithë këtij viti dhe për pasojë meriton vëmendje. "Duhej doemos", thotë ai, që "pavarësisht nga punët të ishte edhe presidenti, edhe kryeministri në këtë sallë. Ky është i vetmi teatër, të paktën në rajon, që numri i spektatorëve ia kalon numrit të popullsisë.


Për pasojë publiku shqiptar i detyrohet shumë Teatrit Kombëtar dhe kjo është logjika pse unë mendoj që duhet të kishte më shumë vlerësim. Shoh emra të nderuar që nga Margarita Xhepa deri tek Ndriçim Xhepa, por nga ana tjetër nuk shoh Robert Ndrenikën, Bujar Lakon."


Londo drejton tashmë një teatër shumë të ri, dinamik dhe të hapur. Në emër të Teatrit të Metropolit ai thotë se i përulet me shumë respekt emrit të madh të Teatrit Kombëtar që "ka bërë histori në kushte të vështira".


Pastaj se cilat janë raportet e këtij teatri me periudha të caktuara, në këtë pikë Londos i duket se nuk po thuhet një e vërtetë e madhe. Fjalimet e përvjetorit iu dukën patetike, "të gjithë dalin heronj, të gjithë dalin të barabartë. Ky teatër ka emër të madh sepse është mbajtur nga vlerat, nuk është mbajtur nga mediokrit, nuk është mbajtur nga këto kumtesa patetike dhe po aq mediokre."


Mund të duken periferike dhe të stërthëna nevojat që përmend kostumografja Anila Zajmi. Investime, thotë ajo, në të gjitha drejtimet. Investime për vetë stafin, aktorët, krijuesit, që nga pagesat, tek mundësitë dhe koha e duhur për realizimin e veprave.


Kostumografe aktive - ka veshur "Berberin e Seviljes" apo "Frankun V" - Zajmi i referohet përvojës që ka pasur në vitet e fundit kur thotë se Teatrin Kombëtar nuk duhet të angazhojë njerëz sa për të bërë një punë, por të zgjidhen më të mirët. "Format dhe mënyrat unë nuk i di", thotë ajo, "por i duhet dhënë prioritet marrjes së njerëzve në punë në bazë të aftësive."


Megjithatë e ka ndjerë këto vitet e fundit një lloj ndryshimi, një lloj zgjimi, qoftë edhe atëherë kur "nuk ka qenë në nivelin e duhur. Në fund të fundit, kjo ka bërë që artistët dhe njerëzit me përgjegjësi intelektuale të reflektojnë mbi atë që kanë parë më parë, mbi të kaluarën e largët dhe të afërt.


Teatri është një qenie që ka dhe pjesë qetësie, po ka dhe pjesë shpërthimi. Unë mendoj që momenti i tanishëm, këto 2-3 vitet e fundit ka një lloj zgjimi, ka një lloj këndvështrimi ndryshe. Teatri është një koncept më vete të cilit duhet t'i shërbejnë një grup njerëzish.


Dhe për këtë duhet punuar shumë, duhet një ngritje intelektuale dhe artistike e të gjithë shoqërisë që ka lidhje direkt me teatrin."
Një çështje që duhet riparë në repertorin e TK, ka të bëjë sipas Zajmit, me hapjen që duhet treguar ndaj një gjuhe dhe forme tjetër teatrale.


Izolimi i trupës shqiptare, importimi i pak elementëve, diku një regjisor, e herë tjetër një skenograf a kostumograf i huaj, janë pika të ndrydhura që duhen zhbllokuar duke i bërë njerëzit e këtij teatri më objektiv për atë që janë, dhe më kërkues për nivelet që duhet të kapin.


"Ne jemi në vazhdë të një tradicionalizmi që deri më sot, me shumë vështirësi po përpiqemi t'i shkëputemi", shton Anila Zajmi. "Kjo ka të mirën e vet sepse përcakton një lloj fizionomie shqiptare, por në të njëjtën kohë është i nevojshëm eksperimenti, kërkesa për diçka të re.


Këtë gjë unë shpresoj ta bëjnë të rinjtë, por të rinjtë jo të shkolluar në shkollën e Akademisë së Arteve, sepse Akademia është vazhdim i teatrit." Si pjesë e këtij realiteti, ajo shpeshherë ka hasur në vështirësi të mëdha në konceptimin e gjërave të reja në teatër.


"Është një luftë midis tradicionales jo në kuptimin etnik - jam dakord me pjesën etnike, - por fjalën e kam për atë tradicionale që është e vjetruar, që është në kundërshtim me këndvështrimet moderne në konceptimin e përgjithshëm, qysh nga përzgjedhja e pjesëve tek personat krijues


." Por kjo mendon se është një punë që i përket të ardhmes, të paktën të ardhmes jo të largët. Për këtë duhet përgatitur publiku. Në ç'mënyrë mund të përgatitet publiku?


Edukimin me të renë kostumografja e sheh të vendosur në trekëndëshin: media, shkollë, institucione të shtetit. Hë për hë, edhe këto brinjë nuk komunikojnë mes tyre.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›