E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka surpriza, Berisha rizgjidhet në krye të PD-së

15/12/2009  Nën ritmet e këngës “I need a hero” kryeministri del para delegatëve

Garantohet bashkëpunim me opozitën, por jo kompromis në kurriz të zgjedhjeve

Delegatët demokratë kanë rizgjedhur Sali Berishën në postin e kryetarit të Partisë Demokratike. Me vetëm 5 vota kundër dhe 5 abstenime, ose 99.1 %Berisha do të jetë dhe për katër vjet të tjera kryetari i PD-së. Në votim morën pjesë 1218 delegatë, nga 1267 që ishin gjithsej ndërkohë që 30 vota kanë dalë të pavlefshme. Nuk kishte asnjë dyshim se kryeministri do të rizgjidhej bindshëm, jo vetëm se në këtë garë të brendshme nuk kishte rivalë konkretë. Pasi në Kongres kishin mbajtur fjalimet nënkryetarët Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, salla ndizet nga kënga e Bonnie Tyler “I need a hero” (“Kam nevojë për një hero”). Ka qenë pikërisht kjo këngë që ka sjellë në sallë, kryetarin e PD-së Sali Berisha, njëkohësoisht dhe kandidati i vetëm PD-së për kryetar në këtë kuvend. Salla, do të rindizej sërish ketë herë nga duartrokitjet duke paralajmëruar fitoren e mëvonshme të tij. Dhe në fund ashtu ndodhi. Me votim thuajse unanim kreu aktual i PD-së u zgjodh sërish në krye të Partisë Demokratike.

Fjalimi

Fillimin e fjalimit lideri i PD-së ia kushtoi lëvizjes studentore të dhjetorit të vitit 1990, prej së cilës më pas lindi Partia Demokratike. Ai theksoi se 19 vjet më parë nga trimëria, entuziazmi, kuraja legjendare e studentëve dhe të rinjve shqiptarë dhe mendimi më i avancuar intelektual i vendit lindi kjo forcë politike. “Ishte pasioni ynë për lirinë, dashuria për lirinë, respekti ndaj saj që kanë bërë sot që ne demokratët shqiptarë të jemi të vetmit ndër vendet ish-komuniste që të festojmë rënien e “murit të Berlinit” në pushtet dhe ta festojmë atë më madhërishëm se kurrë, ta festojmë atë më fuqishëm se gjithë Evropa, ta festojmë atë me gjysmë milioni shqiptarë në sheshet e kryeqendrës së vendit”, - tha Berisha. Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë në përpjekjet që bën mazhoranca aktuale dhe qeveria që ai drejton për thellimin e reformave në funksion të integrimit sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian. Berisha tha se garanton opozitën se do të ketë hapësirën më të madhe, frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit për reformat e mëdha. “Por paralajmëroj se pasioni im për lirinë nuk do të pranojë kurrë që një grusht pinjollësh të Bllokut të mund të nëpërkëmbin vullnetin e lirisë, vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë”, - tha ai. Kreu i demokratëve tha se qeveria është e angazhuar të përballet me mafien. “Qëndrojmë këtu më të vendosur se kurrë për t’i rezervuar asaj darët dhe gërshërët e ligjit, kudo që ndodhet. Kjo maxhorancë është sot më e vendosur se kurrë të zbatojë me vendosmëri ligjin, të përdorë të gjithë pushtetin që i ka dhënë sovrani në zgjedhjet e 28 qershorit për t’i dhënë përgjigjen më të merituar mafies, e cila nxin çdo ditë imazhin vendit, e cila pengon çdo ditë me veprimtarinë e saj kriminale zhvillimin e vendit, e cila gllabëron çdo ditë pasuritë e këtij vendi”, - tha ai.

Berisha për rizgjedhjen

Sali Berisha ishte krejtësisht i vetëdijshëm dhe verbërisht i bindur për rikonfirmimin në postin e kryetarit të Partisë Demokratike, pasi ishte kandidati i vetëm në garë. Pasi hodhi votën, ndër të parët mes delegatëve, Berisha tha për mediet se ishte i hapur për garë. “Jam kandidati i vetëm, por i hapur jo për një, por edhe për tre apo katër të tjerë. Siç e dini, në traditën më demokratike jam kandidati i forcës fitimtare, i forcës politike që në zgjedhjet e vitit 2009 mori 160 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e 2005-s”, - deklaroi ai. Ai tha se garanton opozitën se mbetet i hapur për bashkëpunim të ngushtë për reformat.

Rroga e pensione

Kryeministri Berisha premtoi se gjatë vitit të ardhshëm qeveria do të rrisë përsëri rrogat dhe pensionet. “Rritja e rrogave dhe pensioneve është tjetër objektiv i zemrës së dhimbsur. Ne jemi të vetmit në Evropë që sërish parashikojmë që në qershor të vitit që vjen të bëjmë rritjen më të madhe të rrogave dhe pensioneve në tërë historinë e vendit”, - tha ai.

Shëndetësia

Kreu i qeverisë ka theksuar se gjatë katër vjetve të ardhshëm shëndetësia është prioriteti kryesor i kësaj qeverie. “Shërbim shëndetësor të mjekësisë më të lartë, të garantuar për çdo qytetar, kjo do të jetë reforma jonë. Reforma në shëndetësi është një nga premtimet tona madhore”, - tha ai. Berisha deklaroi se do të luftohet varfëria dhe mjerimi në vend.

Infrastruktura

Berisha premtoi se në mandatin e dytë qeverisës do të ndërtohet infrastruktura më moderne në rajon. Ai tha se do të ndërtohet Rruga e Arbrit, boshti i Jugut, tuneli i Elbasanit, rruga Qafëplloçë–Qukës, Fierzë–Koman dhe 700 mijë kilometër rrugë do të asfaltohen dhe ndërtohen në mbarë vendin. Ai premtoi furnizim me ujë 24 orë në të gjithë vendin.

Ndryshimet statutore

Pak ndryshime në kushtetutën e PD-së

Statuti i Partisë Demokratike ka pësuar disa ndryshime jo fort esenciale. Statuti mbi të cilin funksionon dhe zhvillohet jeta politike e demokratëve, është ndryshuar vetëm në ato pika që lidhen me strukturat e partisë. Kështu, në bazë të statutit të ri organizimi i partisë tashmë funksionon në bazë të sistemit të ri zgjedhor. Me ndryshimet e miratuara dje në Kongres shkrihen nëndegët e PD-së, por fuqizohet roli i seksioneve dhe grup-seksioneve të partisë. Gjithashtu në çdo qark të vendit ngrihet një komitet drejtues, i cili organizon punën e strukturave të të gjitha bashkive dhe komunave që janë pjesë e tij. Votimi i ndryshimeve në statut ishte krejt formal. Përgjegjësi për ndryshimet statusore, sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode, pasi bëri paraqitjen e projektstatutit, tha se nuk ishte regjistruar asnjë propozim tjetër. Ai kërkoi nga salla votimin, sipas të cilit nuk kishte asnjë abstenim dhe asnjë kundër. Në statut nuk u përfshinë pretendimet e shfaqura kohët e fundit për zgjedhjen e kryetarit të partisë përmes parimit “një anëtar, një votë” si dhe për sanksionimin në statut të ndarjes së mandateve partiake me ato qeveritare. Kështu, PD-ja në qendër do të vazhdojë të funksionojë ashtu si deri tani.

Të ftuarit në Kongres

Në Kongresin zgjedhor të PD-së ishin ulur në platenë qendrore sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, kreu i Ballit Kombëtar Demokrat Artur Roshi, kryetari i Partisë Agraro Ambientaliste Lufter Xhuveli, Leka Zogu II, i shoqëruar nga kreu i partisë “Lëvizja e Legalitetit” Ekrem Spahia. Të pranishëm gjatë punimeve të kongresit të PD-së kanë qenë edhe deputetët e partisë “Drejtësi dhe Unitet”, kryetari Shpëtim Idrizi dhe nënkryetari Dashamir Tahiri. Në kongresin e PD-së nuk kanë marrë pjesë asnjë ndër krerët apo përfaqësues të partive të majta opozitare me gjithë ftesën publike të bërë nga Berisha.

Jeta e PD-së

Kongresi i djeshëm nisi me transmetimin e një dokumentari kushtuar aktivitetit 19-vjeçar të PD-së. Gjatë 5 minutave u shfaqën pamje nga protestat e studentëve, themelimit të PD-së, rrëzimi i monumentit të diktatorit Enver Hoxha. Pamjet e vizitës së Papa Gjon Pali II në Shqipëri dhe puthja e tokës shqiptare prej tij u shoqëruan me duartrokitjet nga salla. Po ashtu në këtë dokumentar u transmetuan pamje dhe fakte mbi të gjitha reformat e kryera gjatë qeverisjeve demokratike dhe ndryshimeve të realizuara, sidomos gjatë udhëheqjes së vendit nga PD-ja. Integrimi në NATO, procesi i anëtarësimi në BE, angazhimi për pavarësinë e Kosovës u shoqëruan gjithashtu me duartrokitje nga salla.

Pasqyrimi i Kongresit

Kongresi i PD-së filloi me disa minuta vonesë nga ç’ishte parashikuar. Zhvillimet e këtij kongresi u pasqyruan gjerësisht nga disa kanale të rëndësishme televizive shqiptare. Organizatorët kishin menduar transmetim direkt të punimeve, me regji të unifikuar, gjatë kohës kur kanë mbajtur fjalimet krerët më të lartë të PD-së, kryetari Sali Berisha, nënkryetarët Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi, si dhe sekretari i përgjithshëm Ridvan Bode. Pas kësaj pjese ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e kryetarit të ri dhe përbërjes së Këshillit Kombëtar. Ndërkohë në sallën kryesore të Pallatit të Kongreseve në transmetim direkt u është krijuar mundësia medieve vizuale për të marrë intervista.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›