E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk ka asnjë rezervë politike për vendimin”

04/06/2010 Ministri i Brendshëm spanjoll mbështet liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën

Nga Luksemburgu ministrat e vendeve anëtare të bllokut japin sinjalin për vizat

Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë deklaruar dje nga Luksemburgu se mbështesin liberalizimin e vizave për Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Pas këtij takimi ministri i Brendshëm spanjoll Alfredo Perez Rubalcable, me statusin e përfaqësuesit të vendit që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, ka theksuar se asnjë shtet që është pjesë e BE-së nuk kundërshton vendimin për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së, pjesë e hapësirës “Shengen”. Po ashtu ai bëri të qartë se nuk ekziston asnjë rezervë politike për këtë vendim të rëndësishëm. “Asnjë shtet anëtar i Bashkimit Europian nuk është kundër heqjes së vizave afatshkurtra me Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Të gjitha shtete anëtare e duan këtë”, - ka deklaruar ministri spanjoll Alfredo Perez Rubalcable. Pas takimit ai ka pohuar se ka disa përfaqësues të vendeve anëtare të bllokut që kanë kërkuar që më parë dy vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të përmbushin të gjitha kriteret e përcaktuara. “Ka disa shtete që kanë qëndrim më të kujdesshëm dhe duan të sigurohen plotësisht që Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina i përmbushin kushtet”, - nënvizoi ministri spanjoll, përfaqësues i vendit që mban presidencën e radhës së BE-së.

Misionet e BE-së

Ecuria e përmbushjes së detyrimeve nga ana e Tiranës zyrtare, në mënyrë që institucionet përgjegjëse të BE-së të japin vendimin përfundimtar të heqjes së vizave afatshkurtra për qytetarët shqiptarë, do të monitorohet nga zyrtarët europiane. Mësohet se Komisioni Europian do të dërgojë muajt e ardhshëm një grup ekspertësh, të cilët do të vlerësojnë arritjen e kritereve. Gjatë vizitës ata do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë dhe shtetit shqiptar, si dhe do të shqyrtojnë personalisht përgatitjet që po bën Shqipëria për t’iu përgjigjur kërkesave të parashtruara nga Komisioni. Misioni i ekspertëve do të paraqesë më pas një vlerësim konkret. Megjithatë, sinjalet duket të jenë tepër pozitive dhe besohet që vjeshtën e këtij viti do të jetë e mundur marrja e vendimit për liberalizimin e vizave afatshkurtra. Kjo gjë përforcohet edhe nga ministri i Brendshëm spanjoll gjatë takimit të ditës së djeshme në Luksemburg. Përfaqësues të ndryshëm të vendeve anëtare të BE-së dhe zyrtarë të lartë europianë janë shprehur kohët e fundit se Shqipëria i ka plotësuar kriteret e përcaktuara në udhërrëfyesin e KE-së, përveç tri çështjeve krejtësisht teknike, të cilat besohet se do të arrihen gjatë dy-tre muajve në vijim. Megjithatë, fakti është se të gjitha vendet anëtare të bllokut europian janë dakord në parim dhe koha që mbetet do të mjaftojë për të bërë të mundur që qeveria shqiptare të arrijë objektivat e vendosur. Sipas ministrit të Brendshëm spanjoll, Komisioni Europian dhe presidenca spanjolle mendojnë se Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina po punojnë mirë dhe se do të arrihet objektivat. “Unë nuk kam dëgjuar asnjë rezervë politike për heqjen e vizave. Të gjithë janë të mendimit që kjo të bëhet. E vetmja gjë është se disa shtete mendojnë se u duhet dhënë kohë këtyre vendeve për të përmbushur kushtet, por Komisioni dhe presidenca mendojnë se të dyja vendet kanë bërë progres”, - ka deklaruar ministri i Bredshëm spanjoll Alfredo Perez Rubalcable.

Samiti i 2 qershorit në Sarajevë

BE mbështet integrimin dhe liberalizimin e vizave

Në samitin e dy ditëve më parë në Sarajevë, Bashkimi Europian ka bërë të qartë mbështetjen ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në funksion të integrimit europian të tyre. “Procesi i stabilizim-asocimit mbetet kuadri i procesit të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Procesi i secilit vend drejt BE-së do të varet nga meritat përkatëse për arritjen e kritereve dhe kushteve të caktuara. Progres i rëndësishëm është bërë në funksion të anëtarësimit në BE, sikundër është treguar në negociatat e vazhdueshme, përgatitjen e opinionit mbi aplikimet për anëtarësim dhe përcaktimin e një rrjeti të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Vendet e Ballkanit Perëndimor tashmë janë të ankoruara fuqishëm në procesin e zgjerimit të BE-së”, - thuhet në deklaratën përfundimtare të takimit të djeshëm të Sarajevës. Bashkimi Europian përmes kësaj deklarate ka përcjellë një sinjal pozitiv dhe tepër mbështetës në lidhje me liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. “Qytetarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë gëzojnë udhëtim të lirë dhe pa viza drejt BE-së që prej fundit të vitit 2009. BE-ja mirëpriti propozimin e Komisionit Europian për të zgjeruar regjimin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës (menjëherë sapo të plotësohen kriteret)”, - thuhet në këtë deklaratë.

Vendimi i Komisionit Europian

Komisionerja për Çështjet e Brendshme në Bashkimin Europian, Sesilja Malstrom, ka zyrtarizuar më 27 maj vendimin e Kolegjit të Komisionerëve për liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në një konferencë për mediet zyrtarja e lartë e BE-së theksoi se vendimi i marrë nga KE-ja shënon një hap të madh drejt integrimit të këtyre vendeve. “Është një kënaqësi e madhe të njoftoj liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, pasi është një çështje që i afron vendet me Bashkimin Europian”, - u shpreh Malstrom. Zyrtarja e BE-së është ndalur edhe në punën që duhet bërë në të ardhmen nga dy vendet. Për Shqipërinë ajo ka theksuar se duhet një zbatim më i madh i ligjeve. “Ata kanë bërë një progres të madh, por puna nuk është plotësuar. Shqipëria duhet të zbatojë kornizën ligjore të konfiskimit të aseteve kriminale, të krijojë kushtet për emigrantët e riatdhesuar”, - tha ajo. Komisionerja për Çështjet e Brendshme në BE shpjegoi edhe skenarin e parashikuar nga Komisioni për liberalizimin e vizaave, duke ndjekur të njëjtin format që u ndoq në rastin e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë. “Ky propozim do t’u mundësojë qytetarëve të këtyre vendeve të udhëtojnë me pasaporta biometrike pa pasur nevojë për vizë në vendet e zonës ‘Shengen’. Tani i takon Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës të marrin vendimin përfundimtar”, - tha ajo.

Ministri i Jashtëm i Spanjës

Moratinos: Vizat do të hiqen shumë shpejt

Ministri i Jashtëm të Spanjës, vend i cili mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, është shprehur pozitiv në lidhje me vendimin që do të marrë Parlamenti Europian për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Do të ndodhë shumë shpejt. Kam besimin se do të ndodhë këtë vit. Më në fund ju (shqiptarët) arritët atë që kërkonit. Propozimi do të kalojë në Parlament dhe në Këshill. Jam i bindur se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Në të kaluarën, kur janë trajtuar çështje të ndryshme, kur Komisioni thotë ‘po’ dhe jep dritën e gjelbër, nuk ka ndodhur që Këshilli apo Parlamenti Europian të thotë ‘jo’”, - ka deklaruar shefi i diplomacisë spanjolle menjëherë pas samitit të Sarajevës, ku u fol në mënyrë të veçantë mbi heqjen e vizave.

Komsioneri për Zgjerimin

Fule: Nuk ka kritere politike shtesë për vizat

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fule, gjatë konferencës për shtyp pas përfundimit të samitit të Sarajevës ka deklaruar se institucionet përgjegjëse për liberalizimin e vizave nuk kanë shtuar asnjë kriter politik. “Për sa i përket Komisionit Europian, ju e dini se ne nuk i kemi ndryshuar rregullat e lojës, nuk kemi shtuar asnjë kriter politik shtesë dhe Komisioni i qëndron rekomandimit të tij të qartë se detyrat e mbetura po bëhen nga të dyja vendet (Shqipëria dhe Bosnja) dhe nga Komisioni nuk ka asnjë pengesë për qytetarët e këtyre vendeve që të shijojnë regjimin e vizave. Tani i takon Parlamentit Europian dhe Këshillit të Ministrave”, - tha Fule. Në lidhje me kapërcimin e ngërçin politik në Shqipëri ai tha se do të ishte një gjë pozitive. “Shpresojmë që procesi të vijojë pozitivisht. Liderët politikë janë të angazhuar për të gjetur një rezultat, një zgjidhje për ngërçin politik, që duhet arritur përpara opinionit në Parlamentin Europian dhe në Këshillin Europian. Do të ishte një shtysë e mirë politike për marrjen e një vendimi pozitiv në këto dy institucione”, - ka theksuar komisionieri për Zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fule.

Ministri i Jashtëm i Italisë

Fratini: Brenda vitit shqiptarët pa viza në Europë

Ministri i Jashtëm italian Franko Fratini ka deklaruar para nisjes së samitit të Sarajevës se qytetarët shqiptarë do të mund të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian brenda këtij viti. “Mbi të gjitha, ne po riafirmojmë prirjen europiane të të gjitha vendeve të Ballkanit. Së dyti, është përcaktimi i një afati kohor për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Presim që kjo të ndodhë përpara dimrit”, - tha Fratini. Në prononcimin e tij ai theksoi se ekziston një mbështetje politike për heqjen e vizave dhe pas rekomandimit të Komisionit Europian situata është premtuese. “Pas përmbushjes së të gjitha kushteve çështja e vizave është një çështje teknike. Nuk është, nuk duhet të jetë një parakusht politik”, - ka thënë shefi i diplomacisë italiane. Shefi i diplomacisë italiane është shprehur se heqja e vizave për qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë është e nevojshme. “Shqipëria është tashmë gati, edhe Bosnja. Dy vendet duhet të përfitojnë heqjen e regjimit të vizave”, - deklaroi Fratini. Ministri i Jashtëm italian është shprehur shpeshherë gjatë viteve të fundit në mbështetje të vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›