Nuk ka dëme në banesa, vijon shuarja e vatrave të zjarrit në fshatin Shqiponjë në Përrenjas

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Gjatë orëve të fundit, në fshatin Shqiponjë në vendin e quajtur Lukovë “Guri i Mekut” në Përrenjas është regjistruar një vatër zjarri, e cila ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pyje ahu.
Bashkia e Përrenjasit informoi sot se ekipi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi ka qenë i angazhuar pa ndërprerje gjatë gjithë ditës së djeshme në një terren tepër të vështirë malor, ndërsa edhe sot kanë vijuar punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.
Sipas bashkisë, nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa vetëm në sipërfaqe pyjore me ah.
Bashkia e Përrenjasit falënderon Policinë e Shtetit, shërbimin pyjor si edhe banorët e zonës, të cilët kontribuuan në përballimin e kësaj situate.
Gjthashtu bashkia i bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe me temperatura të larta duke shmangur çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
“Çdo zjarrvënie e qëllimshme përbën vepër penale dhe dënohet sipas ligjit”, tha bashkia.
1 nga 6/k.s/j.p/r.e/