E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalohet një vrasje në Sarandë, pesë të arrestuar

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Policia e Sarandës, në kuadër të operacionit policor “Silenciatori”, parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale.

Policia njoftoi sot se u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, të cilët, në fshatin Gjashtë, pranë një lokali, kishin nxjerrë armët e zjarrit nga automjeti dhe qëndronin në pritë, në një zonë pa ndriçim.

Gjatë operacionit gjithashtu u arrestuan 3 shtetas të tjerë si dhe u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, 1 silenciator dhe 2 automjete.

Policia bëri me dije se gjatë operacionit u vunë në pranga në fshatin Gjashtë, shtetasit: S. M., 32 vjeç, banues në Tiranë; A. K., 26 vjeç, banues në Kavajë. Po gjatë operacionit u vunë në pranga edhe shtetasit: V. H., 20 vjeç, banues në Kavajë; V. P., 31 vjeç, banues në Tiranë; F. B., 21 vjeç, banues në Kavajë.

Sipas policisë, nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se këta shtetas kishin ardhur në Sarandë me qëllim kryerjen e një vrasjeje.

“Shtetasit S. M. dhe A. K. u kapën në flagrancë në momentin kur po nxirrnin nga automjeti 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak dhe një silenciator”, njoftoi policia.

Policia njoftoi se tre shtetasit e tjerë, të cilët ndodheshin me ta, u arrestuan për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, identifikimin e objektivit të synuar dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›