E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka lëkundje në mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi ka filluar sot vizitën zyrtare në Gjermani ku edhe është pritur nga kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, i cili theksoi se Gjermania nuk ka lëkundje në mbështetjen e saj për Kosovën dhe se do të vazhdojë lobimin te pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që ta bëjnë këtë.

Kryekuvendari Krasniqi i bëri një rezyme situatës së përgjithshme në Kosovë e të arriturave të saj që nga shpallja e pavarësisë, si dhe foli për njohjet e deritashme, të cilat, sipas tij, kanë forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Mosnjohja nga pesë shtete të BE-së, ndërkaq, po krijon problem të veçantë për aderimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pjesëmarrjen e saj në shumë nisma rajonale e ndërkombëtare”, theksoi kryeparlamentari Krasniqi, duke kërkuar përkrahjen e Gjermanisë për shtrirjen e ndikimit të saj të këto pesë shtete dhe shtete të tjera për njohjen sa më të shpejtë të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, kryetari Krasniqi një theks të veçantë i vuri situatës së fundit në veri të Kosovës, me ç’rast theksoi se për vendosjen e rendit e të ligjit në këtë pjesë të vendit, po bëhen veprime të koordinuara ndërmjet KFOR-it, EULEX-it dhe Qeverisë.

Më tej, ai tha se në veri janë duke funksionuar grupe të organizuara kriminale, të cilat, sipas tij, fatkeqësisht po mbështeten nga politika e Beogradit dhe s’fundi, nëpërmjet barrikadave po e vështirësojnë jetën e qytetarëve të asaj pjese.

Përkitazi me këtë, kryeparlamentari falënderoi angazhimin e ushtarëve gjermanë të KFOR-it, të cilët kanë treguar përkushtim për zgjidhjen e problemit në veri.

Sa i përket liberalizimit të vizave, kryetari Krasniqi shprehu vendosmërinë e Kosovës për përmbushjen e të gjithave kritereve në kuadër të këtij procesi dhe e njoftoi mikpritësin gjerman për arritjet e deritanishme, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje edhe më të fuqishme nga Berlini zyrtar.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, kryetari Krasniqi përmendi ndihmën që Gjermania i ka dhënë Kosovës përgjatë viteve, duke veçuar njohjen e shpejtë të pavarësisë, kontributin në fushën e sigurisë përmes prezencës së saj në Kosovë, mbështetjen e madhe ekonomike etj.

Kurse kryetari i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert theksoi se Gjermania nuk ka lëkundje në mbështetjen e saj për Kosovën dhe këtë e bazoi në raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve.

Ai u interesua hollësisht për situatën e përgjithshme në Kosovë, veçanërisht në veri, dhe shprehu gatishmërinë për të qenë edhe më tutje në mbështetje të Kosovës.

Lammert është zotuar se Gjermania do të vazhdojë edhe më tutje lobimin te pesë shtetet anëtare të BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, në mënyrë që ta bëjnë këtë. Sa i përket bisedimeve me Serbinë, Lammert vlerësoi se ato duhet të vazhdojnë, në suaza të dy shteteve të pavarura e sovrane.

Ndryshe, në këtë vizitë, kreu i legjislativit të vendit, Jakup Krasniqi po shoqërohet nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, anëtarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Vjosa Osmani, anëtarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Donika Kadaj-Bujupi, si dhe këshilltari i lartë politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Bilall Sherifi dhe Skender Reçica, këshilltar për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›