E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka ligj për pensionim, të sëmurët japin mësim

Mësimdhënës që iu bie të fikët para nxënësve, kanë njërin krah të paralizuar, nuk janë të aftë nga ana psikike, madje kundërmojnë, si dhe që vuajnë nga sëmundje tjera kronike e nuk mund të vijnë disa ditë në mësim, apo edhe kur vijnë të mos jenë në gjendje të përmbushin kriteret për mbajtjen e mësimit që siguron cilësinë se shëndeti i tyre është i lig sërish, japin mësim në shkollat fillore dhe të mesme të vendit.

Që nga paslufta, asnjë nga partitë që patën qeverinë apo udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Kosovës (MASHT) nuk kanë ndikuar në nxjerrjen e ligjit, në mungesë të tij nuk kanë hartuar as vetë (ministrat) asnjë udhëzim administrativ (UA) që ua mundëson këtyre mësimdhënësve të pensionohen para kohe për shkaqe shëndetësore.

Drejtorët komunalë arsimorë alarmojnë se nga këta mësimdhënës po rrezikohet cilësia në arsim dhe shëndeti i nxënësve. Ndërsa, për t’i larguar nga procesi mësimor nuk ka ligj, e për t’i ndihmuar detyrohen (drejtorët arsimorë) të gjejnë zgjidhje tjera krejtësisht bazuar në aspektin moral, por prapë jo dhe ligjor, shkruan gazeta Zëri

Marrin kimioterapinë dhe kthehen të japin mësim

MASHT ka dy vjet që ka marrë një rekomandim nga Kolegjiumi për Arsim në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës për rregullimin me ligj të pensionimit të mësimdhënësve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, e po ashtu edhe në muajt e fundit në mbledhjet e rregullta mujore të ministrit të Arsimit, Ramë Buja, me drejtorët arsimorë nëpër komuna, është kërkuar ligj apo UA që ata të dalin në pension para kohe.

Përgjigje nga MASHT-i ende nuk kanë marrë. E, një përgjigje e dhënë, që nga drejtorët shihet aspak normale, ka qenë se “bëni nga dy (mësimdhënës) në klasë”. Drejtoresha për arsim në Komunën e Rahovecit, Besa Hoxha-Beqiri ka theksuar dy raste të rënda që është ballafaquar tash, një mësimdhënës që vuan nga zemra dhe tjetri i diagnostikuar me kancer.

“Për rastin me kancer që ishte shumë i rëndë, këto ditë është dashur të kërkohet mirëkuptimi i prindërve që kur ta marrë kimioterapinë të zëvendësohet nga një koleg tjetër”.

Hoxha-Beqiri thekson se edhe mësimdhënësi që vuan nga zemra ka ardhur tek ajo dhe ka kërkuar ndihmë që t’i bëhet një zgjidhje, pasi mësimin nuk është në gjendje ta mbajë, “por të hiqet nga lista e pagave nuk është njerëzore pasi e ka të pamundur të mbajë si duhet procesin mësimor. Në këto raste zgjidhja po na mbetet barrë si komunë. Ne duhet të bëjmë zgjidhje vetëm që t’i zëvendësojmë. Nuk ka ligj të aprovuar që ata të pensionohen para kohe për shkaqe shëndetësore”.

Ajo ka bërë të ditur se vetëm me mirëkuptim të prindërve këta mësimdhënës vazhdojnë të mbajnë vendet e punës duke ditur faktin se po mbeten pa punë, mbesin pa të holla dhe nuk do të mund të paguajnë mjekimin që natyrisht iu kushton shtrenjtë. “Qeveria e Kosovës duhet të mendojë të hartojë ligjin për të sëmurët në arsim”, ka theksuar ajo.

Jo më pak në hall gjendet dhe kolegu i saj nga Deçani, drejtori për arsim i kësaj komune, Qazim Maloku. Ai pranon se në proces ka mësimdhënës me krah të djathtë të paralizuar, tjetri që nuk pastrohet dhe kundërmon. Ai thotë se si drejtor duhet të bëjë zgjidhje brenda komunës, në të kundërtën, cilësia sipas tij, po dëmtohet në arsim, ndërsa nuk mund të vërë në pozitë nxënësit të durojnë mësimdhënësin që dhe vetë e ka vështirë ta durojë.

Rrezikohet shëndeti i nxënësve

“Për shkaqe shëndetësore, që dyshoj psikike, ai as nuk pastrohet dhe kur vjen dhe në zyrën time unë duhet të hap dritaren nga kundërmimi i tij, si ta qes para nxënësve këtë mësimdhënës kur vetë e kam vështirë të qëndroj me të e të bisedojë”.

Maloku ka theksuar se kjo po i detyron të bëjnë zëvendësime, megjithëkëtë, paralajmëron se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë gjatë.

“Duhet me ligj të lejohet pensionimi i tyre dhe të shkojnë në shpi se ne nuk mund t’i çojmë në shpi, nuk kemi ligj për këtë .Unë dy veta i kam mbajt në lista të pagave se në qershor pensionohen dhe deri në qershor i paguaj. Ata nuk janë në gjendje shëndetësore të mbajnë mësim dhe në vend të tyre kam angazhuar dy të tjerë, gjë që më ka kushtëzuar të hap vend tjetër pune. Pra, iu kam thënë shkoni në shpi pushoni deri në pensionim (qershor) dhe rrogën do ta merrni të plotë e njëkohësisht me rrogë të plotë paguaj dhe këta dy të tjerët që kam angazhuar, por nuk mund të lejoja assesi që ata të dilnin para nxënësve në atë gjendje”.

Ndërsa një rast tjetër vitin e kaluar, ai tregon se e ka mbajtur deri në një vit po ashtu me rrogë. “Më nuk kisha mundësi financiare që ta mbaja dhe arrita një marrëveshje që të kalonte në social”, thekson ai që ndonëse personalisht para tre -katër muajsh në takimin e rregullt me ministrin Buja ka ngritur këtë çështje që t’i bëhet zgjidhje këtyre rasteve në arsim, duke kërkuar që së paku me një UA të lejohet pensionimi i parakohshëm i tyre. Por, përgjigjja që ka marrë ka qenë në këto raste “bëni nga dy mësimdhënës në klasë” . Kjo deklaratë del nga goja e zyrtarëve të lartë të ministrisë , pavarësisht se publikisht dihet gjendja financiare jo e mjaftueshme për arsim nëpër komuna.

MASHT-i mori rekomandimet e kolegjiumit para dy vjetësh, nuk nisen masa

Azem Guri, drejtor për arsim në komunën e Kaçanikut, si dhe kryetar i Kolegjiumit për arsim në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ka thënë se si kolegjium për arsim para dy vjetësh patën nxjerrë një rekomandim që ia kanë drejtuar dhe Ministrisë së Arsimit që të rregullohet çështja e pensionimit të këtyre mësimdhënësve me probleme shëndetësore kronike .

Ai ka thënë se kolegjiumi i arsimit ka ardhur në përfundim se duhet të formohet një komision shëndetësor i pavarur, i cili do të vlerësonte gjendjen e këtyre mësimdhënësve dhe do të jepte vlerësimin për pensionim.

“Ne pavarësisht se e dimë gjendjen e tyre shëndetësore nuk mund t’i heqim nga listat e pagave dhe t’i lemë pa paga e as për këtë nuk kemi mbështetje ligjore”. Guri ka theksuar se MASHT-it sikurse dhe Qeverisë nuk do t’i kushtonte asgjë të lejonte legjislacionin për pensionimin e tyre, pasi më shumë është duke i kushtuar se “po humb cilësinë në arsim me lejimin e këtyre mësimdhënësve në proces dhe mund të pësojnë nxënësit”.

E shumta që mund të bëhet për këta mësimdhënës nga drejtoritë, ai tha se është t’i jepen 15 ditë pushim dhe jo më shumë. “Mirëpo, edhe kur kthehet në punë, prapë vjen në gjendje jo të kënaqshme se sëmundja e tij është e rëndë”.

Teuta Haxhiu, anëtare e Komisionit parlamentar për Arsim ka theksuar se deri tash nuk kanë marrë ndonjë ankesë as nga mësimdhënësit apo nga MASHT-i. Megjithëkëtë, Haxhiu ka thënë se çështja e këtyre mësimdhënësve duhet të rregullohet me ligj.

Tash, MASHT thotë se po vepron !

Ministria e Arsimit, përmes zëdhënësit të saj Arbër Morina ka theksuar se nga ministri Buja është diskutuar kjo çështje dhe parimisht ai e ka përkrahur. “Jemi në proces që kjo çështje të delegohet në nivel qeveritar dhe në Komisionin parlamentar për Arsim”, tha Morina. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›