Serbët: Ne zgjedhim komandantin rajonal të policisë

Mediet e Beogradit,duke raportuar për kthimin e delegacionit negociues në Bruksel, citojnë zyrtarët serbë, sipas të cilëve Serbia merr gjithë çfarë ka kërkuar në bisedime.
Bashkësia e komunave serbe në Kosovë do të ketë presidentin, nënpresidentin dhe Këshillin. Po ashtu do të ketë të drejtën e zgjedhjes së komandantit rajonal të policisë, por edhe komandantët lokalë në katër komunat serbe në veri si dhe në jug, kudo që sipas strukturës etnike serbët bëjnë shumicën, shkruan “Blic”.
Në anën tjetër kjo gazetë citon zyrtarët serbë, sipas të cilëve anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi jo njëherë ka deklaruar se Serbia mund të thotë çfarë të dojë, por realiteti është ndryshe. Sipas tij, në marrëveshjen e propozuar nga Catherine Ashton Kosovës i jepet e drejta e përfaqësimit në të gjitha organizatat rajonale e ndërkombëtare, të anëtarësohet në NATO, por edhe në Kombet e Bashkuara./Indeksonline/