E Diel, 1 Nëntor 2026

“Axos” premton kodin telefonik dhe investime afatgjate

Konsorciumi “Axos Capital GmbH”, i këshilluar nga British Telecom (BT), i cili është shpallur fitues i procesit të privatizimit të 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, premton sigurimin e kodit shtetëror ndërkombëtar për Kosovën, siguri për punëtorët e kompanisë, investime afatgjate, etj.

Kështu thuhet në një njoftim për shtyp të këtij konzorciumi, të dërguar nëpërmjet email-it zyrtar të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Drejtori menaxhues i “Axos”, Jan Budden, thotë se si pjesë të ofertës së tyre kanë dorëzuar edhe një plan gjithëpërfshirës për PTK-në, i cili, siç thotë ai, do të evoluojë në një biznes konkurrues të orientuar nga tregu, duke investuar në teknologji dhe mbi të gjitha në punonjësit që janë fuqia kryesore dhe potenciali kryesor për rritje i kësaj kompanie.
“Ne jemi të përkushtuar që të ofrojmë trajnime mbi teknologjitë më të avancuara, që të zhvillojmë shkathtësitë dhe të përmirësojmë performansën, të cilat do të sjellin kënaqshmëri më të theksuar me vendet e punës dhe do të ofrojnë mundësi për avancim të mëtejmë”, ka thënë Budden, duke shtuar se ekzistojnë plane për ofrimin e shërbimeve online, të cilat do të përbëjnë mundësi të reja punësimi për mijëra qytetarë të Kosovës, në formë të qendrave të thirrjes për përkrahje teknike për kompanitë evropiane.

“Me këtë plan biznesi, konsorciumi është i sigurt se do të përkrahë rritjen dhe zhvillimin e PTK-së dhe tregun e telekomunikacioneve dhe teknologjisë në Kosovë, për ta bërë Kosovën një anëtar të mirëfilltë të shoqërisë globale të komunikimit”, ka thënë ai.

PTK ka një biznes të suksesshëm, të cilin konsocriumi do ta përpunojë edhe më tej për të siguruar të ardhmen e Telekomit si operator i pavarur dhe i papërkrahur nga jashtë. Për këtë arsye, në planet e Konsorciumit prioritet i jepet mbajtjes së selisë kryesore të PTK-së në Prishtinë dhe ruajtjes së statusit korporativ të saj, shkruan zëri.

Sipas njoftimit për media, Axos Capital dhe partnerët e vet janë investitorë në sferën e teknologjisë në SHBA dhe Evropë.
“Ata kanë bërë investime substanciale dhe të suksesshme në një numër të madh të kompanive në fushën e telekomunikacionit, mediave dhe teknologjisë informative. Kompetencat dhe aftësitë e menaxhmentit të këtyre firmave do të shërbejnë si shembull për menaxhimin e Telekomit të Kosovës, përmes implementimit të praktikave më të mira dhe shfrytëzimit të teknologjive të fundit, për të siguruar afarizmin më efikas të mundshëm”, potencohet në njoftim. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›