Të gjithë i duan të vetët në bronz

Çështja e vendosjes së shtatoreve të Fadil Hoxhës, Anton Çettës, Nesemi Dervidanës, por edhe projekti për ndërtimin e “Shtegut Memorial”, po vazhdon të prodhojë debate të ashpra në mesin e partive politike, e shpeshherë edhe në mesin e përfaqësuesve të së njëjtës parti, varësisht prej ideologjisë individuale të secilit prej njerëzve të përfshirë në këtë temë.
Një debat i tillë është zhvilluar edhe të enjten, në mbledhjen e rregullt të Komitetit për Politikë e Financa (KPF), ndërsa nxehtë pritet të jetë edhe në mbledhjen e Asamblesë, ku çështja e shtatoreve do të jetë njëra ndër pikat kryesore, shkruan Zëri.
Disa po kërkojnë që Hoxha, Çetta e Dervishdana të vendosen në lokacionet e propozuara në qendër të qytetit, ndërsa grupi tjetër po kërkojnë që këto tri figura të radhiten bashkë me të tjerët në “Shtegun Memorial”, që pritet të ndërtohet në nderim të të gjithë kontributdhënësve gjakovarë.
Çështja në fjalë, e në veçanti ngritja e shtatores për heroin Fadil Hoxha, përveç ndasive politike, ka filluar të krijojë edhe ndasi tjera, të cilat tradicionalisht kanë sjellë dëme për komunën e Gjakovës.
“Nëse duam të jemi të njëjtë për të gjithë, edhe këto figura duhet të futen në kuadër të ‘Shtegut Memorial’ e jo t’u jepet vend i posaçëm”, ka thënë Besim Mehmeti i LDD-së, i cili është kundërshtuar ashpër nga Gazmend Hoxha i AAK-së, që ka edhe lidhje familjare me Fadil Hoxhën.
“Mendoj se duhet të bëhen dallime dhe po më vjen keq se me çfarë papjekurie politike po debatohet këtu. Fadil Hoxha është një figurë emblematike dhe këtë e dëshmon edhe fakti se ai është varrosur me nderimet më të larta ushtarake nga UÇK-ja dhe me urdhër të kryetarit tonë (Ramush Haradinajt). Mua po më vjen turp që ne ende diskutojmë a duhet vendosur kjo shtatore apo jo”, ka thënë Hoxha, duke aluduar në hezitimet e disa bashkëpartiakëve të tij, të cilët nuk janë shumë të kënaqur me vendosjen e shtatores së Hoxhës në qendër të qytetit.
E debat është bërë edhe për “Shtegun Memorial”, përkatësisht për disa përfundime që në një takim të përbashkët, shefat e grupeve parlamentare kanë propozuar të votohen në asamble. Për shembull, përfaqësues të LDK-së e të AKR-së e kanë kundërshtuar idenë që kontributdhënësit në kuadër të UÇK-së të shënohen emër për emër, ndërsa ata të periudhave tjera të shënohen vetëm si aktivitet ose si lëvizje.
“Nëse doni ndajeni Shtegun Memorial tash në ‘këta’ e ‘ata’, por ju garantoj se nesër po të vijë një parti tjetër në pushtet, do ta bëjë prapë për qef të vetin. Ky është i vetmi rast kur ne mund të bëjmë diçka të përbashkët”, ka thënë Astrit Haraqija, i cili në këtë organ e përfaqëson LDK-në.
I të njëjtit mendim është shprehur edhe Mahmut Lila i AKR-së, i cili ka thënë se të gjithë janë kontributdhënës dhe të gjithë që do të vendosen në Shtegun Memorial duhet të jenë me emra veç e veç.
“Nëse shënohen të gjithë emrat nuk do të merrte hapësirë të madhe. Ne nuk duhet t’u friksohemi këtyre, sepse sa më shumë që do të kemi njerëz që kanë kontribu për këtë Gjakovë, ne do t’i rrisim autoritetin vendit”, ka thënë Lila.
Haraqija e Lila e kanë kundërshtuar edhe përcaktimin kohor për futjen e emrave në “Shtegun memorial”, i cili është vendosur të jetë deri në vitin 2000.
“Nuk është mirë që të caktohet koha e përmbylljes. Ka shumë veprimtarë që kanë kontribuar për çështjen kombëtare, e kanë ndërruar jetë pas vitit 2000. Ajo duhet të jetë e hapur që edhe ata të marrin vendin meritor për kontrubtin e tyre. Nuk e di se interes personal i kujt është që të mos përfshihen të gjithë”, ka përfunduar Haraqija.
Ndërkohë, pavarësisht debatit që po zhvillohet pro dhe kundër shtatores së Fadil Hoxhës, burime të gazetes kanë marrë vesh se kryetari Pal Lekaj ia ka konfirmuar vendosjen e shtatores në qendër të qytetit gruas së Hoxhës, Vahides, gjatë njërit prej aktiviteteve të shumta që Organizata e Veteranëve të LNÇ-së i ka mbajtur këto ditë në Gjakovë. /Indeksonline/