“Nuk ka më PS”
Kur Fatos Nano mori Edi Ramën nga jashtë vendit dhe e bëri ministër Kulture, ca doza bojërash u shfaqën në këtë institucion dhe nisi lyerja e fasadave të ministrive, një punë që i shkonte për shtat idesë së zyrtarit piktor. Kjo ide ka mbetur që nga ato vite dosje në prokurori, paçka se hetuesit nuk merren me dosje të “dala boje”. Socialistët, atë kohë të shëndetshëm shumë politikisht për ta, të fortë sa më nuk bëhet ekonomikisht, nuk çuan ndonjëherë nëpër mend se pas diçka më tepër se dhjetë vitesh, njeriu i bojërave do t’u nxirrte bojën. Maratona e kongresit të 26 shtatorit po vjen drejt fundit dhe përballja e kryetarit që ka humbur, po shndërrohet në një humbje të qartë ekuilibri me elektoratin.
Zgjedhjet e 28 qershorit u mbyllën si kapitull, jo vetëm zyrtarisht brenda vendit, por dhe ndërkombëtarisht sa u përket vlerësimeve dhe raporteve finale. Kushdo që merret me politikë apo interesohet sadopak për këtë art qeverisjeje, ka lexuar atë që thotë OSBE e ODIHR, Brukseli e Uashingtoni, si dhe organizma të tjerë të shumtë monitorimi. Nota e pakorrigjueshme deri tani përmban fjalinë që zgjedhjet ishin më të mirat që janë bërë në Shqipëri deri tani dhe kanë përmbushur shumicën e angazhimeve kryesore të OSBE e ODIHR-it. Në raporte është përmendur fakti që zgjedhjet treguan progres të prekshëm, sidomos lidhur me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, kornizën ligjore, votimin, numërimin dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore, por politizimi dhe probleme të tjera teknike janë ende adresë për të korrigjuar e përcillen rekomandime konkrete. Kryefjala evropiane dhe amerikane i drejtohet opozitës, duke e këshilluar që të ndalë bojkotin dhe të hyjë në Kuvend për t’iu bindur asaj që ka vendosur votuesi më 28 qershor. Por, a ka më PS? Krisja nisi me largimin e të gjashtëve, pastaj me mospërfshirjen e Nanos duke mbyllur për PS-në zyrtare aksionet e tij.
Ndërkohë, pretendimet dhe alibitë e Ramës për manipulim rezultati janë shkërmoqur nga deklaratat e ndërkombëtarëve, që në mënyrë të përsëritur kanë uruar dhe inkurajojnë qeverinë e re dhe partitë politike në Shqipëri për të vijuar me një dialog politik konstruktiv. BE-ja është e vendosur të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në këtë proces të rëndësishëm, duke e ndihmuar atë për të ecur përpara drejt integrimit evropian. Qëndresa dhe dhuna që po ushtron kryebashkiaku në partinë që ka drejtuar me fytyrë nga humbja, nuk ka aspak shenjë të përmirësojë klimën në formacionin politik më të madh në opozitë. Janë pesë deputetë që janë shfaqur hapur kundër urdhrave-strategji të Ramës kandidat, por që janë në prag të përjashtimit nga partia. Ben Blushi, Arben Malaj,Kastriot Islami, Andis Harasani, Marko Bello, me ketë hartë zhvillimesh me kongresin zgjedhor që do të emërojë Ramën se kështu ka vendosur Gramozi, mund të jenë të përjashtuar më 27 shtator nga PS-ja, sepse janë duke menduar ndryshe nga kryebashkiaku i Tiranës. Për ta gjasat janë që të mos ketë më PS. Rama kërkon që ata të zbatojnë rregulloren e partisë, pra të mos dalin me një qëndrim tjetër dhe të thyejnë bojkotin për të marrë pjesë në Parlament. Ndërsa ai vetë kërkon të shkelë statutin, të mos japë dorëheqje, të kandidojë përsëri, një ngjashmëri me porosi hoxhe si fabul rrëfenjash nga agjërimi. Rama në PS, të paktën ligjërisht, është në pozita të njëjta me Maqo Lakrorin, që në përputhje me kërcënimin e kryebashkiakut në parti, mund të përjashtohet nga partia se është pro marrëveshjes me LSI-në, është edhe ai pjesë e Lëvizjes së Mendimit Ndryshe e këtë e ka thënë në turin e përbashkët për kandidim. Edhe për të mund të mos ketë më PS.
Fuqia e kryebashkiakut që kërkon të mbajë kryetarllëkun e PS-së nuk ka burim tjetër veç frikës që ai ka se humbet të dyja postet nëse humbet njërin. Pasi e ka humbur qetësinë në turin garues, Rama ka ashpërsuar komunikimin me elektoratin, me atë që e deshi aq shumë para zgjedhjeve. Nuk përgjigjem, dil nga salla, nuk je yni, je rrugaç, këdo që nuk i bën amin, kryebashkiaku e merr për mendim ndryshe dhe kërkon ta dërgojë në mjedis ndryshe për të lajmëruar se ai nuk ikën nga “prona” sikur të ikin të gjithë socialistët nga partia ai prapë do të qëndrojë. Elektorati që ka qëndruar orë pa fund mitingjeve, pranë qendrave të votimit, në këtë tur të dytë zgjedhor brenda partisë, po përballet me dhunën “Rama” që u lexon tekstin e largimit se për ta nuk ka më PS.
Prurjet bashkiake kanë qenë të forta dhe janë rreshtuar të hekurt në krah të tij, duke larguar më fort ata që gjendeshin aty, të ardhur me një karrierë graduale në PS. Ai do t’i mbajë socialistët jashtë Parlamentit, le të japë rekomandime kush të dojë nga ndërkombëtarët, deri në datën e rizgjedhjes, Rama meqë vetë nuk është deputet, po rreket të përfitojë pafajësinë duke vonuar me muaj reformat e rëndësishme, duke zvarritur datën e shpresuar të liberalizimit të vizave. Në 2007 Rama fitoi Bashkinë e Tiranës, duke bërë marrëveshje me Metën, të cilën e prishi që të hënën paszgjedhore. Më 2009, në qershor, Rama si kryetar partie, mundi të merrte mandate të shtrenjta, duke bërë marrëveshje të dobët edhe Mendimin Ndryshe. Në 2011, në zgjedhjet lokale Rama nuk ka më me kë të bëjë marrëveshje dhe bashkia, post që do ta humbasë pas dy vitesh, do të transferohet me ata që kanë mbetur në selinë e PS-së, por aty nuk do të jetë më e njëjta parti që Rama gjeti kur u “anëtarësua” pa dashje, për hatër të lejeve të ndërtimit, duke e kthyer atë në një ndërmarrje interesash individuale, duke bërë që socialistët prej dekadash në parti të thonë gjithnjë e më shpesh: “Nuk ka më PS”, të paktën jo ajo për të cilën ata kanë votuar. Kush ka mbetur akoma pa u sharë “rrugaç” apo pa ngrënë ndonjë telefon kokës, si zakon ka nisur me qenë në debat me "udhëheqjen", duhet të shohë për parti tjetër.