Përfundon regjistrimi në universitete, mbi 2 mijë kuota bosh
Ka përfunduar dje regjistrimi i maturantëve fitues në institucionet publike të arsimit të lartë. Afati i fundit, që fillimisht ishte përcaktuar dita e premte, u shty deri të dielën, për shkak të pamundësisë së regjistrimit të fituesve që nuk kishin letërnjoftim apo pasaportë. Në fund të procesit, burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës llogarisin mbi 2 mijë kuota të parealizuara, porse shifra e saktë dhe ndarja e kuotave bosh sipas degëve do të publikohet përgjatë ditës së sotme. Në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës kanë mbetur 106 kuota bosh nga 1100 që kishte gjithsej.
Kuotat e paplotësuara
Por, në shumë degë të universiteteve të ndryshme të vendit nuk është arritur plotësimi i kuotave pas përfundimit të raundit të parë të regjistrimeve paraprake në institucionet publike të arsimit të lartë. Nga një llogaritje paraprake, burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për më shumë se 2 mijë kuota që kanë mbetur të parealizuara nga regjistrimi paraprak.
Ndër këto kuota përfshihen jo vetëm ato ku nuk janë regjistruar maturantët e shpallur fitues, por edhe kuota që kanë mbetur bosh si pasojë e mospërzgjedhjes nga maturantët. Në këtë mënyrë bëhet fjalë për më shumë se 500 kuota të cilat janë në degë, të cilat i kanë përzgjedhur më pak maturantë sesa kuotat e përcaktuara për to. Këto kuota do të rishpërndahen, së bashku me ato që nuk janë plotësuar, me formularin A3 dhe më pas atë A4.
Formularët shtesë
Këtë vit, për herë të parë, krahas formularit A2, Ministria e Arsimit ka parashikuar edhe dy formularë të tjerë për pranimin në shkollat e larta. Duke parë numrin e madh të raundeve të regjistrimit, Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit, pas raundit të parë të regjistrimeve, të mos vijojë raund të dytë regjistrimesh bazuar në formularin A2.
Në këtë mënyrë, ministria do të shpërndajë një formular tjetër, A3, për të gjithë ata që nuk u shpallën fitues në raundin e parë. Ndërkohë, në raundin e tretë të regjistrimeve, do të plotësohet formulari A4, me kuotat e mbetura bosh, të cilat do të rishpërndahen.
Burime nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës bëjnë të ditur se rezultatet e rishpërndarjes së kuotave dhe procedurat e mëtejshme do të përcaktohen rreth datës 25, ndërkohë që regjistrimi për në fazën e dytë në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë do të kryhet përgjatë muajit tetor.