E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka më dyshime Edi Xheko është i Mançester Sitit

ANGLI- I uroj të realizojë ëndrrat e tij. Kanë qenë këto fjalët e thëna dje nga trajneri i Volfsburgut Stiv MekKlaren, që ka zyrtarizuar largimin e Edin Xhekos drejt Mançester Sitit për 30 milionë.

Tashmë mungon vetëm zyrtarizimi, por nuk ka më dyshime se sulmuesi boshnjak do të jetë pjesë e skuadrës që drejtohet nga Roberto Mançini. “Po, kemi një akord, - tha trajneri italian, - por do të flasim pas ndeshjes me Arsenalin”. E në fakt, dy klubet e kanë arritur tashmë akordin.
Volfsburgu do të marrë 30 milionë euro nga shitja e sulmuesit, ndërsa në orët e ardhshme pritet edhe komunikata zyrtare e dy klubeve. “Them se do të ketë një futbollist ideal për Sitin, sidomos në krah të Karlos Tevez, - deklaroi Stiv MekKlaren. – Do të jetë një dyshe sulmuese shumë e fortë. Xheko është një lojtar i madh, siç e tregon edhe vlera ekonomike e paguar për të. Është i fortë fizikisht, por ka edhe një teknikë të mirë. Gjithashtu, është një sulmues që di të shënojë me çdo pjesë të trupit”, shtoi ai.

Ndërkohë, edhe Roberto Mançini mezi po e pret sulmuesin boshnjak. “Xheko është sulmues i madh, i kërkuar nga shumë skuadra europiane”, tha ai. Siti arriti të mposhtë në këtë betejë dy gjigandë si Real Madrid dhe Juventus, që gjithashtu ishin në kërkim të Xhekos. Me marrjen e tij, Roberto Mançinit do t’i duhet të zgjidhë një problem tjetër, atë të largimeve. Mançester Siti bëhet tashmë me katër sulmues të një kalibri shumë të lartë dhe me rroga faraonike: Tevez, Adebajor, Baloteli dhe Edin Xheko, pa harruar emra të tjerë të njohur, të cilët Mançini i lejon të luajnë vetëm në Kupë.
Në janar, largimi më i mundshëm duket ai i Adebajor, i kërkuar sërish nga Reali dhe nga Juventusi. Por, togolezi është ekstrakomunitar dhe kjo është një pengesë e madhe për të. Sa i përket Tevez, ai është simboli i Sitit dhe vështirë që të lëvizë. Po ashtu edhe Baloteli, që ka ende shumë për të treguar në “Eastlands”.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›