E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Kemi akuzë për ish-kryeregjistruesin Zeneli

Ish- drejtuesi i Hipotekës së Tiranës akuzohet për vlerësim jo real të disa pronave


TIRANË- Ish-drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë shtetasi Gazmend Zeneli, vetëm pak ditë më parë i është komunikuar zyrtarisht akuza e "shpërdorimit të detyrës" dhe i është kërkuar të japë shpjegime me cilësinë e personit të pandehur.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të njësisë së task-forcës në Prokurorinë e kryeqytetit, të cilët theksuan se përveç komunikimit të akuzës zyrtare, ish-kryeregjistruesit Zeneli i është kërkuar të japë shpjegime me cilësinë e deklaruesit, personit që ka dijeni për çështjen, personit nën hetim dhe me cilësinë e të pandehurit.


Sipas këtyre burimeve, mësohet se hetimi ndaj ish-kryeregjistruesit Zeneli që tashmë ushtron profesionin e lirë të avokatit dhe disa ish-punonjësve të Hipotekës së Tiranë, ka filluar në fillim të vitit 2010 pas një kallëzimi të dorëzuar nga sektori i antikrimit ekonomik të policisë së shtetit dhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi Hipotekën.


"Nga hetimet disa mujore, është arritur të provohet se prona shtetërore me një sipërfaqe prej rreth 6 mijë metra katror që ndodhej në afërsi të ish-qytetit të nxënësve në Tiranë, është blerë nga një person privat, me një çmim shumë të ulët në krahasim me çmimet e indeksit të nxjerrë nga qeveria në vitin 2005.


Vlerësimin e çmimit të kësaj prone e ka kryer Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë në kohën që kjo drejtohej nga shtetasi tashmë i pandehur Gazmend Zeneli"-thuhet nga prokuroria. Gjithashtu mësohet, se në vitin 2005 Ministria e Ekonomisë, pas nxjerrjes në shitje të truallit shtetëror, ka ngritur një komision të vlerësimit i cili shqyrton dokumentacionin e ofruar nga blerësit.


Ky komision, në 2005 i ka kërkuar Hipotekës së Tiranës të bëjë një raport vlerësimi të çmimit të tokës në zonën ku ndodhej prona prej rreth 6 mijë metra katror. Në atë kohë, sipas akuzës, punonjësit e Hipotekës nën "urdhrat" e shefit të tyre kanë nxjerrë një raport çmimesh ku metri katror i asaj toke vlerësohej me një çmim qesharak.


Mbi bazën e këtij vlerësimi, sipas prokurorisë të paligjshëm, komisioni i Ministrisë së Ekonomisë e ka shitur pronën tek një person me një vlerë qesharake, duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm që kap shifrën e mbi 500 mijë dollarëve. Gjithashtu, burimet pranë njësisë së task-forcës konfirmojnë që të pyetur për këtë vlerësim ish/dhe punonjësit e Hipotekës i kanë ngarkuar përgjegjësinë ish-shefit të tyre Gazmend Zenelit.


Sipas prokurorisë, dosja hetimore është në fazën përfundimtare dhe pritet që shumë shpejt dosja penale të dërgohet në Gjykatën e Shkallës së Parë për gjykim ndaj të pandehurit Zeneli me akuzë e "shpërdorimit të detyrës".
Rasti i dyshuar


Vlerësimi i çmimit të tregut për një sipërfaqe të caktuar trualli përpara vitit 2005, është kryer mbi bazën e një Vendimi të Këshillit të Ministrave, duke qenë se në atë kohë, ende nuk kishte një ligj të posaçëm për mënyrën e vlerësimit dhe të shitjes së trojeve dhe në rastin konkret për ato shtetërore. Në këtë mënyrë, sipas Vendimit të Këshilli të Ministrave me nr.169, të vitit 2004, çmimi i tregut përcaktohej duke marrë mesataren e çmimit të shitjeve të një viti më parë në këtë drejtim.


Hetuesit dyshojnë se në rastin konkret nuk është ruajtur ky rregull dhe nuk është zbatuar vendimi i qeverisë, por është marrë si referencë një çmim shumë herë më i ulët. Në këtë mënyrë, trualli në pronësi shtetërore ka kaluar në pronësi private për një çmim shumë herë më të ulët nga çmimi real.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›