Plagosi Markelianin lihet i lirë
Bilal Çuni do të ndiqet në gjendje të lirë për ngjarjen për shak se incidenti nuk solli pasoja në shëndetin e të miturit
Incidenti ndodhi ndodhi pasi çdo ditë hajduti i vogël fyentë të afërmit Çunit dhe kishte vjedhur një varëse djalit të tij në qafë
TIRANE- Pas më tepër se 12 orë në ambientet e komisariatit nr.4, blutë detyrohen të lënë të lirë, autorin e plagosjes me thikë të hajdutit të mitur, Markelian Cungu, Bilal Çunin.
Ai do të ndiqet në gjendje të lirë nga policia për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje. Ndërkaq, sipas hetuesve, një situatë e tillë ka ndodhur për shkak se i mituri i plagosur, në mënyrë të vazhdueshme provokonte dhe fyente pjesëtarët e familjes së Bilal Çunit.
Këta të fundit e kishin kapur dy herë në dy tentativa të ndryshme të tij për të vjedhur banesën e tyre. Ndërkaq në një rast, Markeliani ka mundur t'i vjedhë një varëse në qafë me dhunë djalit të Bilal Çunit, e madje duke e kërcënuar. Kjo kishte shkatuar në një farë mënyrë sipas hetuesve edhe acarimin e autorit të dyshuar të gërvishtjes së të miturit.
Kjo pasi konfirmimi i mjekëve të spitalit ishte se gjendja e të miturit të cilësuar si një nga hajdutët më të rrezikshëm të mitur në vend, nuk kishte probleme serioze për jetën.
Madje menjëherë pas mjekimit të marrë në pavionin e Otorino Laringologjisë (ORL), ku kishte marrë një qepje në grykë, Cungu, nxitoi të mbërrinte në komisariat i shoqëruar nga i ati i tij Petrit Cungu, babai xhaxhai dhe të afërm të tjerë.
Ndërkaq, hetuesit e policisë thonë se lënia e lirë e 47 vjeçarit Bilal Çuni është bërë pasi nga hetimi i kryer dhe nga verifikimet përkatëse ka rezultuar, se ai nuk ka pasur qëllim ta plagosë apo t'i rrezikojë jetën.
Në këto rrethana, mëngjesin e djeshëm rreth orës 05:00, të mëngjesit blutë lanë të lirë 47- vjeçarin Çuni, për faktin se ngjarja nuk kishte sjellë pasoja të rënda në jetën dhe shëndetin e të miturit të akuzuar për një pafundësi vjedhjesh në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit. Pavarësisht këtij fakti, në të gjithë rastet babai i tij nxiton të pohojë: nuk kam çfarë ti bëj.
Nuk më dëgjon, apo nuk e kontrolloj dot. Ndërkaq', sipas tyre plagosja ka ardhur, për një pakujdesi të vogël në momentin e ngjarjes, kur Markelian Cungu mbeti i plagosur, në fyt, ku mori një plagë shpuese me një thikë që në fakt ai e mbante me vete dhe kërcënoi Bilal Çunin.
Shkak për ngjarjen sipas burimeve të policisë mësohet se është bërë vjedhja e banesës së Çunit, në dy raste.
Një fakt të tillë e pranoi edhe Bilal Çuni, dje për "Shekullin", që pohoi se nuk kishte pasur kurrë qëllim të ushtronte dhunë mbi Markelianin e aq më pak ta plagoste me thikë. "Ai është një fëmijë që tentoi të më vidhte dy herë shtëpinë.
Vinte herë pas here me një veturë "Benz" me disa djem në të dhe përpara shtëpisë niste shante këdo që i dilte përpara nga njerëzit e shtëpisë.
Dje bëri të njëjtën gjë dhe e gjeta, pranë karburantit dhe aty e ndalova,- tregon Bilali. Sipas tij, kur e takoi pranë karburantit në urën e Babrroit, ai i nxori një thikë të vogël dhe ia drejtoi. "I kapa dorën dhe desha ta tremb.
Ai lëvizi kokën dhe aty u gërvisht". Bilali thotë se nuk do të kishte dashur ta bënte një veprim të tillë me Markelianin dhe me askënd tjetër ndërsa shton: shyqyr që mbaroi me kaq dhe nuk pati rëndim të gjendjes shëndetësore të Markelianit,- thotë Bilali duke shprehur në një farë mënyrë pendesën për veprimin e tij, por jo pak i nxehur edhe për provokimet dhe veprimet e të miturit ndaj tyre.
Babai i Markelianit, incident në polici, sulmon të akuzuarin
Edhe pse ishte në komisariat dhe i vëzhguar prej thuajse të gjithë efektivëve blu të komisariatit nr.4, Petrit Cungu nuk ndenji i qetë, përballë njeriut që i kishte plagosur të birin. Në momentin e parë që u përball me Bilal Çunin, Petrit Cungu rendi drejt tij duke i futur duart në fyt.
Një fakt i tillë, konfirmohet për "Shekullin", nga burime të komisariatit të policisë nr.4 në kryeqytet që pohuan se Cungu sulmoi Çunin menjëherë sapo mësoi se ai ishte autori i plagosjes së të birit. Kacafytja mes tyre vijoi për pak sekonda deri sa, blutë ndërhynë për t'i ndarë, duke shmangur një incident jo të vogël mes tyre.
Incidenti, Markeliani kërcënoi i pari me thikë
Markelian Cungu, 13 vjeç, mori një plagë të lehtë të shtunën në mbrëmje rreth orës 19:00, jo shumë larg shtëpisë së tij, në rrugën "Njazi Meka", pranë urës së Babrroit, kur ai ishte me një grup adoleshentësh dhe të miturish, të gjithë shokë të tij.
Ai ndodhej në mes tyre, kur Bilal Çuni, 47 vjeç me banim fare pranë e kapi për krahu, për shkak se i mituri jo vetëm kishte tentuar t'i vidhte shtëpinë, por edhe kishte vjedhur me dhunë të birit një varëse në qafë disa ditë më parë. Po kështu prej ditësh Markeliani, shante dhe fyente njerëzit dhe të afërmit e Bilal Çunit, pranë shtëpisë së këtij të fundit.
Markeliani, sipas burimeve të policisë, i nxori një thikë Bilalit, ndërsa ai për ta trembur ia ktheu thikën në grykë, ku pas lëvizjes së kokës ai mori gërvishtje në fyt. Pas mjekimit të tij në spital Markeliani u paraqit në komisariat dhe më pas u largua në banesën e tij në afërsi të ish- fushës së druve në kryeqytet.