Nuk ka pará për pagat, por qeveria paguan një miliard lekë për spote dhe propagandëNga “Faktori Plus” Në këtë prag Krishtlindjesh, kur shqiptarët kanë nevojë për atmosferë festive, qeveria ofron vetëm lajme të trishtuara për qytetarët e saj
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Nuk ka pará për pagat, por qeveria paguan një miliard lekë për spote dhe propagandëNga “Faktori Plus”
Në këtë prag Krishtlindjesh, kur shqiptarët kanë nevojë për atmosferë festive, qeveria ofron vetëm lajme të trishtuara për qytetarët e saj. Prej disa ditësh, vazhdon në publik debati për mungesën e parave për pensionistët dhe pagat e buxhetorëve për muajin dhjetor.
Qeveria shqiptare, e vënë nën një presion të madh për të paguar shpërblimet dhe pagat, në një kohë që realizimi i të ardhurave është shumë i dobët, ka vendosur të rrisë deficitin buxhetor, duke e çuar në 4,5% të prodhimit të brendshëm, nga 4,25%, që ishte parashikuar.
Një akt normativ i nxjerrë nga qeveria do ta bëjë të mundur këtë lëvizje, në mënyrë që qeveria të gjejë paratë për të mbuluar shpenzimet në këtë fundvit shumë të vështirë. Rritja e borxhit të brendshëm konfirmohet nga kërkesa e qeverisë për të kërkuar pará nga bankat, duke nxjerrë në shitje bono thesari me maturim 3-mujor dhe me vlerë 2 miliardë lekë ose rreth 18 milionë dollarë.
Por pavarësisht kësaj, qeveria nuk ia doli dot të paguajë shpërblimet e vitit të ri dhe një pjesë të pagave të administratës publike. Disa pjesë nga një VKM e qeverisë për shpërblimet konfirmon se për vitin 2009 Sali Berisha nuk u dha pensionistëve 5.3 milionë USD dhe tani vetëm sa u shlyen detyrimet e mbetura. Në këtë tekst konfirmohet se për vitin 2009 Berisha nuk u dha ish-ushtarakëve 3 milionë USD, dhe tani vetëm u jep një pjesë të borxhit. Ja çfarë përmban kjo VKM…
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përllogariten në shumën 1 400 000 000 (një miliard e katërqind milionë) lekë, dhe të përballohen, si më poshtë vijon:
a. 900 000 000 (nëntëqind milionë) lekë, nga buxheti i shtetit për vitin 2009, sipas burimeve të mëposhtme:
i. 115 000 000 (njëqind e pesëmbëdhjetë milionë) lekë nga fondi rezervë;
ii. 300 000 000 (treqind milionë) lekë, nga fondet e planifikuara për pagesat e interesave të huaja;
iii. 485 000 000 (katërqind e tetëdhjetë e pesë milionë) lekë, nga fondet e planifikuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht: 285 000 000 (dyqind e tetëdhjetë e pesë milionë) lekë, nga fondet e planifikuara për programin “Mbështetje sociale për ushtarakët” dhe 200 000 000 (dyqind milionë) lekë, nga fondet e planifikuara për programin “Forcat e luftimit”.
b. 500 000 000 (pesëqind milionë) lekë, nga fondet e programuara në buxhetin e ISSH, për vitin 2009.
Por gjithë sforcimi i qeverisë në fund të vitit për shpërblimet e festave bie ndesh me shpenzimet marramendëse të saj për propagandë dhe harxhimin e parave publike për klientët e qeverisë.
“Faktori Plus” sjell një dokument të qeverisë shqiptare, e cila ka harxhuar për mitingun e 8 dhjetorit mbi 1 miliardë lekë, nga të cilat 540 milionë lekë vetëm për reklama të prodhuara në studion e vëllezërve Frangaj.
Siç duket qartë nga vendimi i Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrisë së Integrimit u janë akorduar rreth 1 miliard lekë për t’u shpenzuar për reklama dhe organizim të këtij mitingu. Nëse llogarisim se Sali Berisha u ka premtuar rreth 500 mijë pensionistëve shqiptarë nga 2500 lekë si shpërblim për vit të ri, rezulton që me pak kaq pará mund të ishte shmangur ajo pjesë e pensionistëve, që u shtyhet shpërblimi për pas janarit.
Por, nëse i hedh një sy zërave të shpenzimeve për këtë miting, shihet qartë se pjesën e luanit në këtë fushatë e ka marrë ajo e reklamave, e cila shkon gati gjysmë miliard lekë të vjetra, që i janë akorduar Ministrisë së Integrimit.
Duke qenë një shifër e lartë, kjo ministri duhet të bënte tender publik për të prokuruar reklamën dhe agjencinë që do t’i bënte ato. Në të vërtetë qeveria shqiptare ka bërë një skandal, duke i cilësuar ato shpenzime operative dhe duke ia faturuar direkt agjencive të veta klienteliste, mes të cilave, ajo e vëllezërve Frangaj është më e privilegjuara.
Vetëm gjatë këtij viti, për agjencinë e Eduard Frangajt, vëllait të Aleksandër Frangajt, shteti shqiptar ka prokuruar direkt gjithë spotet publicitare të ministrive, që paraprinë fushatën elektorale me shuma marramendëse, që qeveria nuk i bëri kurrë publike.
Sipas ekspertëve, shpenzimet për këto spote mund të kenë shkuar mbi 15 milionë euro, nëse llogarisim kohën televizive të shpenzuar për transmetimin e tyre. Por qeveria shqiptare nuk i bëri kurrë publike, shifrat, me gjithë këmbënguljen e medies. Edhe kur është pyetur direkt zoti Berisha për këto spote, ai sërish nuk ka dhënë asnjë përgjigje.
Në fillim të fushatës elektorale, kësaj agjencie, pra agjencisë së vëllezërve Frangaj, iu dhanë dhe spotet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Faktori Plus” zbuloi kontratën me procedurë të mbyllur që Arben Ristani, kryetari i KQZ, bëri për kompaninë e reklamave të Eduard Frangajt, vëllait të pronarit të TV Klan për tenderin e promocionit të KQZ.
Në dokumente thuhet se më 14 qershor është lidhur kontrata mes KQZ dhe kompanisë “Promo sh. p. k.”, të Eduard Frangajt, për prodhimin e 6 spoteve televizive dhe 8 spoteve radiofonike për edukim, sensibilizim dhe ndërgjegjësim të zgjedhësve.
Siç shihet dhe nga dokumentet, lloji i prokurimit është procedurë me negocim, pa botim paraprak të njoftimit të kontratës. Një procedurë e tillë është përdorur vetëm në KESH për tenderët e energjisë elektrike që ka marrë “Rudnap”, pas së cilës ishte Damir Fazlliç.
Kontrata i është dhënë kompanisë së Eduard Frangajt, e cila është krijuar në vitin 2007, dhe sipas dokumenteve që “Faktori Plus” disponon, është faturuesja e shumicës së spoteve televizive që qeveria ka prodhuar dy vitet e fundit.
Por kush është kjo kompani, që merr pa tender milionat e qeverisë shqiptare për reklama?
“Promo sh. p. k.” është një kompani formale e vëllezërve Frangaj, e krijuar në vitin 2007 për të faturuar shpenzimet për reklama të qeverisë në adresë të TV Klan. Kjo shoqëri ka marrë përsipër fushatat publicitare të Fatmir Mediut, si ministër Mbrojtjeje, si dhe një sërë spotesh propagandistike të qeverisë, ku ndër më kryesoret ishin ato të Ministrisë së Turizmit, në kohën që drejtohej nga Ylli Pango.
Kontrata e fundit pa tender është vazhdim i procedurave të saj të mëparshme për mënyrën se si vëllezërit Frangaj përfitojnë nga fondet publike, duke qenë njerëz të afërt të kryeministrit.
Për të kuptuar formalitetin e kësaj kompanie, le të shikojmë fillimisht pronësinë e saj.
Në dokumentin e themelimit shihet qartë, se “Promo sh. p. k.” është kompani e themeluar nga Eduard Frangaj, vëllai i Aleksandër Frangaj, dhe kryeredaktor i lajmeve në TV Klan.
Pra, siç shihet, kompania është krijuar në maj të vitit 2007 dhe është fokusuar vetëm te promocionet e qeverisë, gjë që është kthyer në biznes kryesor për vëllezërit Frangaj.
Por, për të kuptuar më mirë sa formale është kjo kompani dhe sa joserioz është kryeministri Berisha me paratë e qytetarëve shqiptarë, mjafton të shihet bilanci i kësaj kompanie. Kjo kompani ka të punësuar vetëm një person, Eduard Frangajn, i cili është pronari, administratori dhe punëtori i vetëm i saj. Kompania është formale dhe shërben vetëm për të faturuar paratë që qeveria u jep vëllezërve Frangaj. Ekipi i vërtetë i punës është TV Klan, ku edhe prodhohen realisht reklamat.
Nëse u hedh një sy spoteve të qeverisë, vëren se zëri i spikerit të spoteve është ai i spikerëve të TV Klan.
***
Shqiptarët kanë kaluar një vit të lumtur virtualisht, me spote që flasin për suksese, për të cilat kanë paguar nga xhepat e tyre për klientët e Sali Berishës, por në këtë prag Krishtlindjesh pensionistët janë pa pensione, buxhetorët pa rroga dhe shqiptarët pa mundësinë për t’i bërë dhurata njëri-tjetrit. E vetmja gjë që kanë pasur me bollëk shqiptarët gjatë këtij viti, kanë qenë gënjeshtrat e paguara me taksat e tyre, në të cilat kanë parë se si u hap rruga Durrës-Kukës, që u mbyll me shpejt se sa u hap, se si është reformuar policia shqiptare, e cila në fakt është degraduar, se Shqipëria është bërë evropiane, edhe pse është në fakt vendi që mbeti jashtë liberalizimit të vizave ndryshe nga fqinjët tanë. Nëse Shqipëria do të ishte si spotet, që kanë paguar shqiptarët për vëllezërit Frangaj, ato pará do t’ia kishin vlejtur. Por ato shkojnë sot vetëm për të bërë diferencën mes luksit, që u ka krijuar Berisha klientëve të vet, që sot i bëjnë pushimet në hotele luksoze në Evropë dhe shqiptarëve të mashtruar e të mbetur pa dhurata, pa rroga dhe pensione në shtëpi.
Editorial
Qeveria nuk jep pagat, pagoi spotet për 8 dhjetorin
Qeveria shqiptare vazhdon t’i fshehë publikut me mungesë të plotë transparence të gjitha vendimet e saj që kanë të bëjnë me përdorimin e parave të buxhetit të shtetit për propagandë elektorale dhe qëllime politike, siç ishte dhe mitingu i fundit i 8 dhjetorit. Faktet që po sjell “Faktori Plus” dëshmojnë qartë se qeveria e kryeministrit Berisha, e cila është në krizë për të paguar shpërblimet e pensionistëve dhe pagat e buxhetorëve është shumë bujare për buxhete shtesë marramendëse për studiot e reklamave të pronarëve të TV Klanit, për spote që ftojnë njerëzit për mitingun e 8 dhjetorit.
Edhe më parë “Faktori Plus” ka ngritur shqetësimin se VKM-të më të rëndësishme të qeverisë, në të cilat fshihen abuzime flagrante me paratë e qytetarëve shqiptarë, mbahen të fshehura dhe nuk gjenden, jo më në faqen e qeverisë, por as në Fletoren Zyrtare. Kjo e bën shumë të rëndë situatën, pasi ato VKM, që nuk botohen në Fletoren Zyrtare, janë praktikisht të pavlefshme dhe do të vijë një ditë që këta klientë të kryeministrit Berisha, që po marrin pa i merituar paratë e qytetarëve shqiptarë, do të ballafaqohen me ligjin. I tillë është për shembull vendimi i qeverisë që ne po publikojmë. Vendimi, i cili mban numrin 1191, datë 13 nëntor 2009, nuk gjendet as në faqen zyrtare të qeverisë dhe as në Fletoren Zyrtare. Kjo mungesë e thellë transparence ka shoqëruar të gjitha vendimet e rëndësishme të qeverisë, ku ka qëllim abuzimi. Në asnjë faqe zyrtare dhe asnjë dokument zyrtar nuk gjenden dot vendimet e qeverisë për prokurimin e rrugës Durrës-Kukës, vendimet e qeverisë për Gërdecin, vendimet e qeverisë për prokurimet direkt për studion e reklamave të Frangajt për spotet e qeverisë. As këtë vendim që po bëjmë ne publik shqiptarët nuk kanë mundësi ta shikojnë në publik. Kjo është një dëshmi se qeveria fsheh me vetëdije vendime, të cilat janë korruptive. Po t’i shtosh kësaj dhe mospublikimin në fletore zyrtare, këto vendime bëhen njëkohësisht edhe të pavlefshme nga ana juridike, pasi në fund të çdo vendimi thuhet se ky vendim hyn në fuqi me botimin në fletore zyrtare. Hetimi i këtyre vendimeve prej prokurorisë shqiptare duhet të forcohet me akuzën për fshehje të qëllimshme të fakteve korruptive, pasi, në një kohë kur pensionistët shqiptarë dhe qytetarët e këtij vendi po festojnë Krishtlindje pa dhurata, kryeministri Berisha jep një miliard lekë si dhurata për klientë të tij, që i përdor për të gënjyer shqiptarët me spote televizive.