E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka surpriza për Lotarinë Kombëtare, qeveria shpall fitues austriakët

Nuk ka surpriza. Ashtu siç kishte paralajmëruar media, kompania Austrian Lottery është shpallur fituese e tenderit për Lotarinë Kombëtare. Lajmin e bën të ditur Shqip, që shkruan se ministri i Financave, Ridvan Bode ka firmosur për ti dhënë licencën monopol për 10 vjet kësaj kompanie.

Gjithçka është mbajtur sekret nga mediat, të cilat kanë zbuluar me dhjetëra fakte të rënda për këtë tender. Por Berisha dhe Bode kanë shpërfillur gjithçka, duke i dhënë monopolin një kompanie me lidhje të afërta me ta.

Kompania austriake e merr licencën për 3 milion euro, ndërkohë që rivalët e saj ishin të gatshëm të ofronin deri në dhjetë herë më shumë. Paradoksalisht, Bode tha se atyre nuk u interesojnë paratë, por siguria e kompanisë. Ndërkohë janë vetë Bode e Berisha që po lënë Kosovën peng të Serbisë për energjinë, pasi nuk shpallin fituesen e një tenderi për linjën e interkonjeksionit, me arsyetimin se ata kanë ofruar çmim të lartë.

Arka e shtetit shqiptar do të përfitojë tmerrësisht pak nga kompania austriake, vetëm 10 përqind të xhiros, kurse në shtete të ndryshme shteti merr edhe 80 përqind të xhiros.

Në të vërtetë kompania austriake ka fituar të drejtën për shtatë lloje aktivitetesh lojëra fati.

Opozita e ka quajtur një skandal të rëndë dhe ka premtuar se do anulojë tenderin kur të vijë në pushtet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›