Policia greke përgënjeshtron homologët shqiptarë: Nuk na sinjalizuan për skafin me drogë, e kapëm vetë
Policia shqiptare publikoi dje një njoftim ku thuhej se falë informacionit që ka marrë policia greke nga ajo shqiptare, u bë e mundur kapja e një skafi me 834 kilogram marijuanë.
Në saj të ndjekjes së vazhdueshme, mjeti lundrues është drejtuar drejt brigjeve greke. Autoritet policore greke në saj të informacionit të marrë nga Policia Shqiptare kishin marrë masa për kapjen e tij, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë Shqiptare.
Por zyrtarët e policisë greke të rajonit të Kefalonias thonë se nuk kanë pasur asnjë sinjal nga pala shqiptare, por e kanë pikasur vetë skafin, janë vënë në ndjekje të tij dhe e kanë kapur atë.
Siç raporton Panorama, një fakt tjetër që rrëzon deklaratën e Policisë Shqiptare është se pronari i skafit nuk është arrestuar dje, por pesë muaj më parë.
Falë këtij bashkëpunimi u bë e mundur kapja e këtij mjeti lundrues në afërsi të ishullit të Kefalonias në Greqi, si dhe arrestimi i pronarit grek të skafit dhe sekuestrimi i një sasie prej rreth 1 ton marijuanë, thuhet në njoftimin e Policisë Shqiptare. Kurse pala greke thotë se pronari i skafit është arrestuar në prill në Athinë.