Prokuroria, Fazlliç dëshmi në Tiranë para 20 shkurtit
Trazhgim Sokolaj
Biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç do të merret në pyetje nga Prokuroria shqiptare për akuzën e "pas-trimit të produkteve të veprës penale", para 20 shkurtit 2009. Ky është afati i fundit i vendosur nga prokurorët e çështjes për biznesmenin që u bë objekt hetimesh pas publikimit në media të transaksioneve financiare në shumën e 1.7 milionë eurove. Avokatët e biznesmenit Fazlliç kanë konfirmuar dje se 33-vjeçari do të udhëtojë në Tiranë brenda 20 shkurtit 2009. Mbrojtësit ligjorë konfirmuan përgjigjen pozitive të Fazlliç ndaj thirrjes së Prokurorisë, duke pohuar se në axhendën e tij të qëndrimit në Tiranë, biznesmeni Fazlliç ka parashikuar edhe një kontakt me prokurorët që po hetojnë çështjen e tij. Burime zyrtare të prokurorisë, thanë dje për gazetën "Panorama" se biznesmeni Fazlliç është një nga personat kryesorë që do të pyetet lidhur me procedimin penal të 7 tetorit 2008, për veprën penale të pastrimit të parave. Deri më tani prokuroria ka marrë në pyetje mbi 20 dëshmitarë, duke përfshirë Erion Isufin, ish-administrator i kompanive të Fazlliç në Tiranë, si dhe avokaten Flutura Kola, që realizoi veprimet financiare pasi ishte pajisur me një prokurë nga biznesmeni në hetim. Dëshmitarët e pyetur për shitjen e kompanisë së Damir Fazlliç kanë pretenduar se gjithçka ka qenë e ligjshme, ndërsa personat e tjerë të pyetur, rreth 15 veta, kanë qenë pronarë tokash në Porto-Romano, ku biznesmeni boshnjak rezulton të ketë blerë 16 hektarë tokë me paratë e përfituara nga transaksionet që ka bërë mes Shqipërisë, Qipros, Zvicrës dhe Anglisë. Hetimet që po zhvillohen ndaj biznesmenit Fazlliç kanë për objekt shitjen e kompanisë "Crown Acquisition", e cila u regjistrua në Tiranë në vitin 2005, me kapital fillestar 1 mijë euro. Ajo u shit dy vjet më pas, pa deklaruar xhiro dhe fitim, për 1.7 milionë euro tek kompania "Altaria Research ltd" me qendër në Qipro, e cila gjithashtu rezulton të jetë pronë e Damir Fazlliç. Prokuroria dyshon se ky transaksion përbën një skemë për pastrim parash dhe për këtë shkak biznesmeni boshnjak po hetohet në Shqipëri ndërsa prokuroria ka kërkuar të dhëna rreth tij nga pesë shtete.